PS zgjeron koalicionin me Aleancën Popullore të çamëve dhe PAD të Zef Bushatit

Kreu i PS, Edi Rama zyrtarizoi mbrëmjen e sotme bashkëpunimin për koalicion parazgjedhor me partinë çame, Aleanca Popullore.
Në fjalën e tij gjatë këtij prezantimi Rama iu referua koalicionit të djathtë të zyrtarizuar mbrëmjen e sotme nga Partia Demokratike, ‘Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim’, të cilin e cilësoi si një qendër grumbullimi mbeturinash politike.
Duke folur për bashkëpunimin e ri me partinë çame Aleanca Popullore Rama deklaroi se çështja çame është pjesë e rëndësishme e programit të PS-së, për një Rilindje Shqiptare.
Po sot PS e zgjeroi koalicioni e saj parazgjedhor me një parti të qendrës së djathtë siç është Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit.
Në fjalën e tij, kreu i PAD, Zef Bushati u shpreh se koalicioni me PS vjen pas dështimit të negociatave të gjata me partinë e djathtë, PD dhe për faktin se me këtë koalicion e lidhin interesa më të mëdha. Sipas tij edhe në programin e PAD përfshihet rilindja, po në koalicionin e majtë rilindja është më e gjerë.
Bushati theksoi se do të garojnë në siglën e Aleancës Demokristiane dhe se qëllimi i tyre nuk është të përfshihen në listat e PS.
Ndërkohë kreu i PS e vlerësoi ardhjen e PAD në koalicionin e majtë si një vlerë të shtuar që do ta bëjë më të thellë fitoren më 23 qershor.
“Ardhja e PAD i jep profil të fortë frontit të përbashkët që shtrihet nga djathta, me ADK në qendër, me PBDNJ apo PS si qendër e majtë dhe LSI si partner strategjik dhe majtas me bashkëpunëtorët tanë tradicional, ndërsa përballë kemi atë që kemi: tespihet e plakut Mere ne 23 qershor do të shpërbëhen në duart e kryeministrit”, tha Rama.
Rama ironizon koalicionin e djathtë: Nga 35 parti në 2009 sot janë 25 dhe Berisha e quan arritje
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama përmes një mesazhi në Twitter, ironizoi deklaratat e kryeministrit Berisha gjatë zyrtarizimit të koalicionit të djathtë, “Aleanca për Punësim, Integrim dhe Mirëqenie”.
“Është fenomenal në konkurrencën që i bën Portokallisë”, shkruan Rama në Twitter.
Më tej kryesocialisti ndalet tek numri i vogël i aleatëve që pranuan të ecin përkrah Berishës në këto zgjedhje.
“Nga 35 parti në 2009 sot jemi 25 dhe kjo është një tjetër arritje e madhe e jona”, shkruan Rama.
SHQIP
Add new comment