Kthimi i Pronave, Totozani: Dyshime për abuzime, prokuroria të bëjë verifikimet e duhura

Postuar në 24 Prill, 2013 10:04

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar dje pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, kur 14 familje u përplasën fizikisht me përmbarues privatë dhe punonjëse të një policie private. Në prezencë të punonjësve të policisë së shtetit, policia private ka  arritur deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Sipas Avokatit të Popullit kjo situatë është paralajmëruar më herët që me mënyrën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, që realisht ka krijuar dhe po krijon konflikte serioze sociale.

“Avokati i Popullit nuk mund të bierë dakord që familje të tëra të ndodhen në mes të katër rrugëve.

Dëmi psikologjik që i shkaktohet familjeve në këto kushte është i pariparueshëm, jo vetëm për to, por për gjithë shoqërinë shqiptare, e cila aspiron standarde reale të ushtrimit dhe garantimit të së drejtës për strehim të çdo individi. Nuk mundet që familje të cilat kanë individë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të moshuar të moshë të thyer, fëmijë e të rritur pa asnjë mundësi financiare për të përballuar qoftë edhe jetesën minimale, të trajtohen në këtë mënyrë”, ka deklaruar Totozani.

Ai i ka bërë thirrje organit të prokurorisë të fillojë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura rast pas rasti. “Avokati i Popullit po e ndjek nga afër dhe me shumë vëmendje këtë proces duke trajtuar në tërësi problemin, por edhe raste individuale që lidhen me këtë problematikë, në të cilat ka vërejtur se veç çështjeve madhore të lartpërmendura, ka edhe raste ku ekziston dyshimi i bazuar se nga ana e Entit Kombëtar të Banesave si institucion zbatues i  aktit normative mund të jetë abuzuar me ligjin, sikurse është një rast në trajtim e sipër nga ana jonë lidhur me ish- çerdhen numër 36, në zonën e Fushës së Zezë, Tiranë.

Për këtë qëllim i bëjmë thirrje organit të prokurorisë të fillojë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura rast pas rasti.

Nga ndjekja nga afër e këtij problemi na rezulton se ish- pronarët po marrin pronat e tyre, por qiramarrësit në banesat e tyre nuk mund të përfitojnë në një pjesë të madhe të tyre, as kredi me interes 0% dhe afat kohor 30-vjeçar nga shteti, as banesa sociale nga ana e pushtetit vendor dhe për më tepër qendrat e përkujdesjes për moshat e treta nuk kanë mundësi pasi nuk kanë kapacitet për të akomoduar individë të moshuar qiramarrës që duhet të lirojnë në këto kushte banesat e ish- pronarëve.

Avokati i Popullit tepër i shqetësuar nga kjo situatë i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të miratojnë shumë shpejt bazën ligjore, e cila do të mundësojë trajtimin individual, specifik për secilën familje qiramarrëse në banesat e ish-pronarëve.

Në të njëjtën kohë ftojmë qytetarët dhe forcat e rendit të ruajnë gjakftohtësinë për të mos krijuar situata të rënda konfliktuale, të cilat nuk zgjidhin gjendjen, por e rëndojnë atë akoma më shumë”, ka përfunduar Totozani.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.