Fotot e Nokës me shoferin e Frrokut, MB: Trillim, do ngre padi për Saimir Tahirin

Postuar në 26 Prill, 2013 09:38

 

Ministria e Brendshme ka reaguar pas publikimit të fotove të ministrit Flamur Noka me shoferin e Arben Frrokut, të akuzuarit për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj duke e quajtur trillimin e radhës të shpifësit me pagesë, Saimir Tahiri. “Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, deklaron me përgjegjësi të plotë individuale dhe institucionale se në fotot e bëra publike, asnjë nga personat prezent në këtë takim, nuk kanë kurrfarë lidhjeje me individët e stisur nga shpifësi Tahiri, me të cilët kupola e krimit në Partinë Socialiste, ka pranuar publikisht se ka lidhje politike dhe biznesi.

Ministri i Brendshëm i konsideron shpifje të tilla, si përpëlitje të pashpresa të njerëzve të botës së krimit, për të stisur tymnaja me qëllimin e vetëm, dëmtimin e hetimit dhe për të shpëtuar përballjen me drejtësinë, të ortakëve të tyre politikë dhe të biznesit.

I bëjmë me dije opinionit  publik se asnjë tymnajë kasnecësh dhe shpifësish nuk do të mund të pengojë zbardhjen e krimit makabër, ku humbi jetën kryekomisar Dritan Lamaj dhe çuarjen e autorëve para drejtësisë.

Ministri i Brendshëm shpreh bindjen e plotë se strategjia e shpifjeve, përbaltjes dhe denigrimit publik, është rezultat i panikut të plotë që ka përfshirë z. Rama dhe ‘Rilindasit’ e tij, para humbjes së thellë që i pret më 23 qershor.

Gjithashtu, Ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka, do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesë padinë e tij, në gjykatën e Rrethit gjyqësor, Tiranë ndaj shpifësit të pandreqshëm me pagesë, Saimir Tahiri”, ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë, Leonard Olli.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.