Katër parti aleate të PS-së padisin KQZ-në në Kolegj

-Teksa fokusi i debatit politik është përqendruar në përbërjen dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një tjetër betejë po zhvillohet midis mazhorancës dhe opozitës. Katër parti të majta ankohen për KQZ-në në Kolegjin Zgjedhor. Ato vazhdojnë betejën ligjore për regjistrimin në zgjedhje, pasi KQZ i ka refuzuar duke i lënë jashtë garës. Shqyrtimi i të gjitha çështjeve është lënë për sot, pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.
E para që ka ankimuar është Partia Kristiandemokrate (PKDSH), me kryetar Dhimitër Muslia. Kjo parti ka ndryshuar siglën e saj, ku ka paraqitur vërtetim të Dhomës Civile, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i datës 08.04.2013, me anë të të cilit vërtetohet se është vendosur depozitimi në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike i ndryshimit të siglës së Partisë Kristian Demokrate të Shqipërisë “PKDSH” në Partia Kristian Demokrate “PKD”.
Sipas KQZ-së, ky subjekt politik nuk mund të regjistrohej për zgjedhje deri sa vendimi i ri nëpërmjet të cilit është ndryshimi i siglës dhe shkronjave nistore të Partisë të ketë marrë formë të prerë. Një tjetër parti që ka ankimuar është Partia e Pajtimit Kombëtar e cila garon në koalicion me Partinë Socialiste. Sipas relacionit të përgatitur nga administrata e KQZ-së, ky subjekt nuk kishte dërguar të plotë dokumentacionin në KQZ brenda datës 14 prill që ishte dhe afati përfundimtar.
Një tjetër parti e përfshirë në koalicionin e majtë, që ka varur shpresat për t’u regjistruar në zgjedhje, është Partia e Prosperitetit Demokratik të Shqipërisë, e cila kundërshton vendimin e KQZ-së për të mos e regjistruar në zgjedhje. Stafi juridik i KQZ-së deklaroi se në vërtetimin e gjykatës mungojnë siglat, pra shkronjat nistore. Partia e katërt opozitare e përjashtuar gara është Partia e Myslimanëve të Shqipërisë, nën argumentin e tejkalimit të afateve të regjistrimit. Ky subjekt kishte depozituar dokumentacionin në KQZ në 17 prill, në një kohë që afati maksimal ishte 14 prilli. Kjo parti ishte e ftuar në tryezën e organizuar nga PS-ja një muaj më parë.
Përveç katër partive të majta, Kolegji pritet që të shqyrtojë sot edhe ankimimet e dy partive të djathta. Njëra nga këto, Partia Civile, nuk u regjistrua nga KQZ-ja me argumentin e mungesës së një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Tiranës për regjistrimin e këtij subjekti. Ndërsa, Partia e Emigracionit do të duhet që të zgjidhë nesër edhe problemin e kryetarit të saj, pasi kërkesën për regjistrim në zgjedhje e kanë depozituar dy pretendentë për të qenë kryetar, Kostaq Papa dhe Xhavit Zhuzhi.
Rikompozimi Berisha nuk negocion për riformatimin e KQZ-së Kryeministri Berisha bëri të qartë dje në seancë plenare se nuk ka ndërmend të negociojë dhe se në zgjedhje do të shkojë me formacionin e mbetur të KQZ-së. “Sot doja t’ju ngrija në këmbë për atë që unë e quaj vdekje politike. T’ju ngrija në këmbë për vdekjen politike të Jani Janit. Trajtuat si plaçkë një specialist, një intelektual, një ekspert. Mos kujtoni se do e kaloni lehtë se këtu do vijnë votimet, se i shndërruat komisionerët në plaçkë tregu, në skllevër, por bëni çfarë të doni, po të doni plotësojini, po të doni kurrë mos i plotësoni! Por në 23 qershor do përfundoni jashtë ringut, nok out”, njëherë e përgjithmonë”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek zhvillimet në KQZ, kreu i qeverisë komentoi dhe takimin e Ramës në Vjenë, me sekretarin e OSBE-së, Zannier. Ky i fundit, sipas Berishës, i kërkoi kreut të PS-së, që të plotësojë vendet në KQZ. “Rama takoi në Vjenë Zanier. E përshëndes Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE. E falënderoj Zanier, i cili i kërkoi publikisht dhe botërisht, Ramës, plotëso vendet në KQZ. Nuk më takoi mua ai, takoi Ramën. Vjen në zyrë më takon mua ai. I tha Ramës, plotëso vendet në KQZ. Ai shkoi të nxjerrë vetullat, por vajti nxori sytë Rama, e mori atë që meritonte”. Por, ka reaguar kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili tha se duke e krahasuar ditën e zgjedhjeve me një ring boksi, Berisha dëshmon se nuk ka ndryshuar aspak në raport me zgjedhjet. “KQZnë e bëre ring, nuk tregove as më shumë, as më pak, se je i pandryshuar në raport me zgjedhjet e lira dhe demokratike”, replikoi Ruçi.
SHEKULLI
Add new comment