Alarmi i BB për të rinjtë

Postuar në 27 Prill, 2013 08:34

Një raport i fundit i Bankës Botërore lëshon alarmin se të rinjtë në Shqipëri po keqarsimohen duke mos arritur të përvetësojnë as aftësitë më minimale. 

Raporti i cili mes të tjerash ka në fokus zhvillimet në tregun e punës ka dalë në rezultatin tronditës se 57 për qind e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë, që nuk kanë aftësinë për të kuptuar dhe zbatuar njohuritë e marrë përmes leximit. E thënë ndryshe, këta janë persona që dinë të lexojnë, por nuk kuptojnë se cfarë kanë lexuar. 

Rezultatet e raportit që bazohet në testet e Pizës, tregojnë se kjo është një nga normat më të larta të analfabetizimit funksional në gjithë rajonin e Europës dhe Azisë Qëndrore duke lënë pas vetëm 3 vende, Kirgistanin, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin. Në Ballkan, Shqipëria mban rekordin negativ. 

Shifrat tregojnë se arsimi në Shqipëri është i keqfinancuar në raport me vendet e tjera, të paktën në pjesën publike. Në vitin 2010, fondet e buxhetit për arsimin ndaj Prodhimit Kombëtar ishin gati dy herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërkohë që vitet e fundit sistemi arsimor është përballur me ndryshime të panumërta ligjore, të cilat shpesh përmbysin njëra-tjetrën.  

Por përtej shkaqeve, rezultatet e raportit tregojnë se Shqipëria ka një problem jo të vogël, i cili përvec kostove të mëdha sociale dëmton edhe prespektivën e ekonomisë. Shumica e të rinjve të paarsimuar kanë më pak gjasa të gjejnë një punë dhe përvecse nuk kontribuojnë në rritjen ekonomike, shndërrohen në barrë për buxhetin e shtetit. Në kushtet e një tregu pune, gjithmonë e më shumë konkurrues dhe teknologjisë që zhvillohet me shpejtësi, kostot e keqarsimit janë edhe më të larta.   

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.