Pal Dajçi kthen buxhetin e Lezhës: Nuk e bëj për arsye politike

Ndryshimi i balancave politike, ku bashkimi i votave të këshilltarëve të Partisë Socialiste me ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe në pushtetin vendosur, duket se po shkakton jo pak probleme.
Konflikti më i fundit është në qarkun e Lezhës. Mësohet se prefekti i Lezhës, Pal Dajçi, ka kthyer mbrapsht buxhetin e vitit 2013 të Bashkisë së Lezhës i miratuar me votat e këshilltarëve socialist dhe ato të LSI-së.
Mosmiratimin e buxhetit, prefekti Dajçi e ka argumentuar me shkeljet ligjore që ai thotë se ka konstatuar në zëra të veçantë të tij.
Pal Dajçi ka deklaruar se është shkelje e ligjit të funksionimit të pushtetit vendor reduktimi me 50 përqind i buxhetit të ndërmarrjes së pastrimit si dhe dhe mospërcaktimi i kuotës për këshillin e qarkut.
Sipas Dajçit, këto dy pika janë të mjaftueshme që ai të rikthejë për rishqyrtim buxhetin e vitit 2013.
Prefekti i Lezhës ka deklaruar se ky vendim nuk ka të bëjë aspak me arsye politike.
Ndërkohë, duket se përfaqësuesit e pushtetit vendor në Lezhë nuk kanë asnjë alternativë tjetër veçse të ridiskutojnë projekt buxhetin e miratuar pak ditë më parë pa votën e këshilltarëve të Partisë Demokratike.
Edhe për këtë vit, buxheti në Bashkinë e Lezhës është thuajse i njëjtë me atë të vitit të shkuar, me një fond total prej 321 milionë lekë të reja, ku krahas shpenzimeve të detyrueshme si në administratë, arsim dhe asistencë sociale, përfshihen dhe investime në infrastrukturë dhe turizëm./l.ç
TEMA
Add new comment