Rojet e fshatit turistik në Kakome trafikonin drogë me skafe italiane

Dosja e Krimeve të Rënda për sekuestrimin e 2.1 tonëve kanabis Lazarati në Vlorë
Moratoriumi i vendosur nga shteti ynë duket se nuk ka penguar trafikantët për të kaluar drogën matanë detit, por thjesht ka ndryshuar mekanizmi. Kështu mësohet se ka ndodhur të paktën me një grup prej gjashtë personash, të cilët në pamundësi për të pasur skafe për të trafikuar drogën, i porosisnin skafet nga Italia për këtë transport. Kjo mësohet nga dosja e grupit kriminal, i cili është vënë nën akuzë nga Prokuroria për Krimet e Rënda për trafikun e 2.1 tonëve hashash të marrë në Lazarat.
Dosja
Dritan Binjakaj, Bledar Binjakaj, Arsim Binjakaj, Edmond Ferraj, Ferik Xhelili, dhe Gligor Konomi kishin krijuar një grup kriminal që trafikonte hashash në Itali. Më 25 prill të vitit të kaluar, policia kufitare mori informacionin se në drejtim të gjirit të Kakomesë është nisur një skaf që vinte nga pjesa jugore e detit Jon. Ky vend është i rrethuar në një sipërfaqe prej 70 hektarësh, pasi është duke u ndërtuar një fshat turistik.
“Forcat e policisë sapo mbërrijnë me makina te dera e fshatit turistik kërkojnë nga rojet për ta hapur atë, por këta të fundit, për një periudhë prej më shumë se 15 minuta nuk u binden urdhrave të policisë për të hapur portën. Në këto kushte, forcat e policisë depërtojnë, duke hipur nga sipër derës dhe duke bërë të mundur hapjen e saj nga brenda dhe lëvizjen me makina për në brendësi të fshatit deri në bregun e detit. Skafi, i cili gjendej i afruar molit të gjirit me të vënë re afrimin e forcave të policisë largohet për në thellësi të detit, por pa sukses, pasi u kap nga skafi i forcave të policisë kufitare, që po i afrohej gjirit. Forcat e policisë gjatë kontrollit në afërsi të molit kanë vënë re të fshehur një kamionçinë, me ngjyrë të bardhë, me targa VL 2269 C, e cila kishte lëvizur deri në fund të një rruge dytësore dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar më tej, ishte braktisur nga drejtuesi i saj. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur dhe sekuestruar afërsisht rreth 2.1 tonë lëndë, e cila ishte lëndë narkotike e llojit kanabis, që gjendej e paketuar dhe e vendosur brenda saj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas tyre, në këtë fshat është duke u ndërtuar një kompleks turistik me administrator shtetasin Dritan Çela nga qyteti i Vlorës, por për shkak të kundërshtimeve nga banorët vendas, këto punime janë pezulluar për momentin deri në zgjidhjen e kontradiktave. Investimet e pjesshme të kryera në këtë fshat ruheshin nga disa roje private, ku bënin pjesë edhe personat e arrestuar. Gjatë operacionit, në këtë fshat kanë qenë të pranishëm gjithë të pandehurit dhe me ardhjen e forcave të policisë, ata janë munduar të largohen në drejtime të ndryshme. Sipas dosjes, Dritan Binjakaj e Bledar Binjakaj kishin rekrutuar rojet në ndihmë të tyre, pikërisht, 4 të pandehurit e tjerë, Gligor Konomi, Edmond Ferraj, Arsim Binjakaj e Ferik Xhelili në kohë të ndryshme, ku asnjëri prej tyre nuk kishte dokumentacion për një veprim të tillë, si dhe nuk kishin leje për përdorimin e armëve të zjarrit, por paguheshin prej tyre me para në dorë.
SHQIP
Add new comment