Berisha në Durrës: Deri më 20 qershor shtrojmë 400 km rrugë. Rama, i tmerruar

Postuar në 28 Prill, 2013 13:56

 

Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në përurimin e rrugës Shën Vlash-Katund i Ri në Durrës. Në fjalën e tij ai premtoi se deri më 20 qershor, qeveria do të inagurojë edhe 400 km rrugë të reja. 

“Jam këtu para jush për tu premtuar kryetarëve tuaj për tu dhënë fjalën se qeveria do mbështesë çdo projekt për një urbanizim të shkëlqyer, për të bërë që ju banorët e këtyre zonave të keni infrastrukturë të njejtë me lagjet e qyteteve tona. 

Bashkë po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, ata që mbështetën PD ndjehen krenarë se këto 4 vite, programi i saj ishte programi i ndryshimeve më të mëdha në historinë e vendit, ishte programi që bëri të mundur me reformat dhe zbatimin e tyre heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë. 

Ishin vitet e ndryshimit të madh, ndërtuam dhe rindërtuam mbi 8 mijë km rrugë rurale. Por Rama është i tmerruar nga këto ndërtime dhe deklaroi në Shkodër se janë gjithsej 600 km, ja ku jam e ftoj të vijë apo të lexojë në facebook-un tim që nga data 1 prill deri më 20 qershor do inaugurojmë jo më pak se 400 km rrugë të reja.

Rrugët i ka tmerr, në Tiranë tha pastaj se janë 1500 km rrugë të ndërtuara, do ti them se nga Konispoli deri në Vermosh po ndërtohen mbi 1500 rrugë të reja”, tha Berisha.

Më pas kryeministri akuzoi kreun e Partisë Socialiste lidhur me deklaratat që ky i fundit ka dhënë për papunësinë në vend. Sipas Berishës, Rama flet për 1 milionë të papunë në një kohë kur ka patur një ulje të ndjeshme të papunësisë. 

“Në matematikën e tij të lashtë të Ramiz Alisë del e thotë në mënyrë të papërgjegjshme se ka 1 milionë të papunë dhe harron se në statistikën shqiptare dhe botërore forca punëtore është 1 milionë e 800 mijë. 

Sipas tij këto shtëpi e këto ara mbijnë vetë e si bën njeri, këto biznese këto rrugë shtrohen vetë, shkollat vetëndërtohen. Përçartje të tilla të janë të padenja dhe primitive. 

Vendi ka papunësi se kemi dy fqinjë në vështirësi të madhe dhe kriza e tyre pasqyrohet edhe tek ne, por e vërteta është se 10 ditë më parë KE thoshte se në Shqipëri pati ulje të papunësisë me 0,5%”, komentoi Berisha.

Ai iu kthye edhe njëherë tjetër akuzave lidhur me statusin kandidat të Shqipërisë, ku sipas tij Rama është arsyeja kryesore e mosmarrjes së statusit. Berisha tha se Rama derdhi lot krokodili para emigrantëve për pensionet e pamarra. 

“Statusi do na jepej me kusht që parlamenti të votonte 3 ligje, zoti Edi Rama me një akt hakmarrës primitiv, me qëndrim të papërgjegjshëm ndaj çdo qytetari që nga tetori 2012 deri më sot mban peng 3 ligje për t’ju treguar shqiptarëve se çfarë është në gjendje të bëjë me zemërligësinë e tij. 

Sot derdhte lot krokodili për pensionet e emigrantëve. A e dini pse nuk u jepen, sepse s’kemi statusin e vendit kandidat, të gjitha vendet janë të detyruara tua njohin vitet e punës emigrantëve shqiptarë po të kishim statusin.

 Zoti Rama ka krijuar në botën e tij Shqipërinë e gënjeshtërt që ekziston vetëm në botën e tij”, tha kryeministri.

“Kolegët socialistë janë mësuar me lumenj deklaratash, trillimesh, protestash dhe në këtë aspekt janë më të pasurit. Por nëse kanë lumenj shpifjesh, trillimesh e bojkotesh atyre u mungon një gjë, nuk kanë lider. Lideri i tyre ka dhunti të kalojë nga disfata në disfatë. 

Le të dalë një socialist i vetëm dhe t’ju thotë shqiptarëve se cilën fitore regjistroi Rama në 4 vite, asnjë, as do mund të regjistrojë sepse ka vetëm interesat e tij që përpiqet t’i realizojë me dhunë e mashtrim”, shtoi ai. 

Së fundmi, kryeministri ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e asaj që ai e cilësoi si fitoren më të thellë të Partisë Demokratike. 

“Këto dy muaj e më pak që na ndajnë nga zgjedhjet le ti shndërrojmë në festën e demokracisë, të bashkohemi për fitore të thellë që programi në 4 vite të jetë programi i Shqipërisë së zhvilluar, programi i Shqipërisë me statusin kandidat, me hajen e negociatave me BE, i rritjes dhe mirëqenies për cdo familje shqiptare, i rritjes së madhe të cilësisë së shërbimeve, ndarjes përfundimtare nga një aleancë e cila më falni për shprehjen, e nisi me fundërrina dhe përfundoi me hala dhe ngjala, le ti lëmë ne ata të ziejnë në kazanin e tyre, kurse ne të bashkohemi për punësim, mirëqenie e integrim”, përfundoi ai. 

 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.