Nacionalistët shqiptarë përçahen përpara zgjedhjeve

Zyrtarët kryesorë të Aleancës nacionaliste Kuq e Zi, janë larguar nga partia, duke akuzuar liderin Kreshnik Spahiu se ka injoruar mendimet e tyre, dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare
Nga Besar Likmeta, BIRN
“Spahiu nuk po vepron sipas interesave kombëtare, por më shumë sipas interesave personale,” tha Dashamir Uruçi, Sekretar për Çështjet Ekonomike në parti, duke deklaruar të hënën dorëheqjen.
Ndërkohë, Sekretari për Agrikulturën, Ago Nezha, që po ashtu ka dhënë dorëheqjen, tha në një intervistë me të përditshmen Shekulli se Spahiu e ka drejtuar partinë sikur të ishte biznesi i tij.
“Kur binte fjala tek vendimmarrja, vendimet nuk merreshin në mënyrë kolegjiale,” tha ai.
“Vendimet merreshin në mënyrë klandestine dhe djallëzore,” shtoi ai.
Sipas mediave vendase, rreth dy duzina me anëtarë të presidencës së Aleancës Kuq e Zi kanë dhënë dorëheqje pasi lideri Spahiu deklaroi se nuk do të bashkohet me koalicionin opozitar të drejtuar nga socialistët përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
“Spahiu as nuk pyeti kur vendosi për të dalë vetëm në zgjedhje,” pretendon Uruçi.
Një zëdhënës i Aleancës Kuq e Zi nuk ishte i arritshëm për komente.
Socialistët kanë akuzuar Spahiun se në mënyrë të fshehtë ka bashkëpunuar me kryeministrin Sali Berisha për të marrë vota nga radhët e opozitës.
Në një blog të publikuar të mërkurën, lideri socialist, Edi Rama, tha se Spahiu kishte kërkuar pesë deputetë nga listat elektorale të socialistëve, në mënyrë që të bashkohej me koalicionin opozitar.
Në një intervistë me të përditshmen Panorama, Spahiu mohoi që të ketë kërkuar përfshirjen e anëtarëve të partisë së tij në listën e Partisë Socialiste, duke thënë se mospërputhjet me PS-në ishin ideologjike.
“Dy nga kushtet tona kryesore për një koalicion ishin heqja e kufijve me Kosovën dhe një pakt për të burgosur Berishën, që u refuzuan në mënyrë kategorike,” tha Spahiu.
“Tregtia e deputetëve dhe ministrave nuk është diskutuar kurrë,” shtoi Spahiu.
TEMA
Add new comment