Meta: Fitore edhe për të mirën e Sali Berishës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ndodhet në Vlorë në një takim me një sallë të mbushur me mbështetës të kësaj force politike.Nga qyteti i Vlorës, Meta komentoi zhvillimet e Kuvendit në lidhje me komisionin hetimor.
“Ne jemi sot këtu për të shprehur vendosmërinë tonë si forcë politike për t’i qëndruar larg konfliktualitetit politik shterpë që mban peng mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin Evropian. Ne duam një Shqipëri pa politikan përçarës, të cilët e kthyen para një jave parlamentin në parlamentin e ‘leshit’ dhe sot e kthyen në parlamentin e ‘veshit’. Ne na duhet një parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit dhe reformat që e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje të lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar”,-tha Meta.
Do të mundim Berishën, 9 me 3
“Dua t’i them kreut të PD-së nga Vlora të mos shohë ëndrra me sy hapur që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, pasi opozita, Vlora dhe Shqipëria duan që zgjedhjet të bëhen sot. Ne duam të nisim një politikë bashkëpunimi dhe me demokratët që sot janë në mazhorancë pasi ata janë komshinjtë tanë, pasi ata e dhanë maksimumin që mund të jepnin gjatë këtyre 8 viteve, tani është koha për ndryshim dhe përmes këtij ndryshimi do të ketë një bashkëpunim. Ne jemi të sigurt në fitoren e këtyre të zgjedhjeve. Aleanca për Shqipërinë Evropiane e nisi fitoren në Shkodër dhe kulmin do e ketë në Vlorë më 23 qershor. E kemi të pamundur të mundim Berishën në Vlorë 8 me 2, por ju jap fjalën se do e mundim 9 me 3. Ashtu sikurse ju jap fjalën se 12 kandidatët e LSI-së do jenë djemtë dhe vajzat e Vlorës që qëndrojnë dhe jetojnë me hallet dhe shqetësimet e këtij populli të mrekullueshëm. Rroftë Vlora historike dhe fitore për të mirën e gjithë shqiptarëve, gjithë Vlorës dhe të mirën e Sali Berishës”,- deklaroi Meta.
Për Vlorën
Për qytetin Vlorës ai premtoi,- “kur thua Vlorë të vjen në mend shteti dhe institucionet e tij. Sot pas 100 vitesh ne jemi vend anëtar i NATO-s, vendi ka bërë jo pak në rrugën e mundimshme drejt BE-së, vendi është zhvilluar falë sakrificave të qytetarëve shqiptarë, me rëndësi për të është edhe liberalizimi i vizave, ndërsa integrimi i papërmubushur dhe i parealizuar, sot e lë vendin në udhëkryq se politika e mbrapsht dhe konfliktuale e mban Shqipërinë larg BE-së. Ndaj jemi sot këtu për të dhënë mesazhin se Vlora dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e integrimit. Kush premton 250 mijë vende pune, kur nuk hapi dot 50 mijë në 8 vite i them se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët, se Vlora kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, një ekonomi që eksporton e konkurron. Ndaj jemi sot këtu për të thënë se Vlora nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe vetëkënaqësinë për ekonominë. Nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive të punëve publike po shkojnë në 300 milionë euro të papaguara, duke rritur kreditë e këqija, nuk mund të vazhdohet me efuroi për ekonominë kur borxhi për mosrimbursimin e TVSH-së po arrin në 200 milionë euro”, tha kreu i LSI-së.
Selami: Ne jemi për ndryshimin e madh
Kreu i LSI-së në Vlorë, Shkëlqim Selami i cili u premtoi të pranishmëve në sallë se në mandatin e parë do të sjell investime në këtë qytet.
“Marr zotim se ky pallat sporti nuk mjaftuaka për LSI-në, radhën tjetër do e organizojmë në sheshin e “Flamurit”. Të më falin kush është në këmbë. Në këto katër vjet kemi treguar se dimë të punojmë dhe mbajmë premtimet. Kjo është rruga e LSI-së dhe ky është kontributi që do japim për qytetin tonë më 23 qershor. Jemi ajo forcë që nuk kemi lidhje me deputetet që kanë kaluar në qarkun e Vlorës, ne jemi për ndryshimin e madh. Të gjithë ata deputet deri më sot mandatin e tyre e përdorën për interesa personale do u vijë turp që pas 23 qershor të vijnë në Vlorë. Ne marrim përsipër të jemi zëri juaj në parlamentin shqiptar, të lobojmë që të sjellim investime, pasi ky popull do punë zhvillim dhe integrim, këtë do e bëjmë që mandatin e parë”,- tha Selami.
SHEKULLI
Add new comment