Kur Kaç Islami erdhi të fshihej me pardesy grash në studion time

Postuar në 30 Prill, 2013 07:51

 

Pranvera e këtij viti, 2013, i gjen shqiptarët anembanë globit më të bashkuar se kurrë, por edhe më të motivuar për t’ju bashkangjitur familjes europiane.

100 vjet më parë, në maj 1913, Konferenca e Londrës e ndau kombin tonë në disa pjesë.

Në këtë jubilé Shqiptarët ndihen krenarë se politikanët e botës e “korrigjuan” gabimin e 100 viteve më parë, i mundësuan Kosovës mëvetësinë.

Rreth 90 vjet kombi shqiptar e ka kujtuar me dhimbje këtë konference, por shekulli i porsanisur duket i mbarë… do t’ju prijë shqiptarëve.

Por, sa po e justifikojnë politikanët tanë këtë trend?

Pak, ndoshta aspak për mendimin tim.

Konformizmi ka gllabëruar sistemin dhe pushtetet e të gjitha niveleve, individët po mohojnë vetveten, por edhe besimin që u dhanë votuesit.

Shembulli me tipik është atentati kriminal që iu bë javët e fundit demokracisë së vendit dhe kryesisht garantuesit të votës së lire, Komisionit Qendror Zgjedhor; nga një pseudomazhorancë lilipute dhe e cunguar.

Nuk kam pasur asnjëherë iluzionin se pushteti i Sali Berishës, i provuar dhe i sprovuar për keqqeverisje, fakt ky tashmë i kuptuar dhe i pranuar edhe nga faktori ndërkombëtar… do t’i bënte ndonjë të mirë demokracisë së këtij vendi.

Koha e provoi se pushteti aktual ka transformuar sloganin mitik “Liberté-Egalité-Fraternité” në “Padrejtësi-Pabesi-Paaftësi”.  Por kurrë nuk e kam menduar dhe as shkuar nëpërmend se kjo “maxhorance” e ardhur në pushtet me vota të vjedhura, dhe pasi u mbajt në pushtet me paterica për më shumë se tre vjet, do të mund të qëndronte akoma në zyrat e pushtetit të pamerituar, duke përdorur mercenarët, të cilët me votat e trafikuara në parlament, penguan rrëzimin e qeverisë Berisha, dhe më keq akoma, votuan amendamente të sajuara për shkarkimin e njërit prej përfaqësuesve të KQZ-së; futen në krizë institucionale dhe konstitucionale vendin.

E pranoj diversitetin e mendimit dhe lirinë e votës së tyre, por nuk mund të pranoj përdorimin e tyre deri në ekstrem për të justifikuar votën.

Unë nuk gjej asnjë argument për të justifikuar atë veprim, por dua t’ju them se justifikimi “për inat të Edi Ramës” nuk i shfajëson, Edi Rama është kryetari i PSSH-së, por jo e majta shqiptare, kauzën e të cilës e kemi mbrojtur me aq mund përballë verbërisë së pozitës.

Nuk ka logjikë që mund të pranojë që përgjatë një legjislacioni 7 deputetë të transformojnë votat e zgjedhësve në anë të kundërt të vullnetit të tyre, për te ndërtuar një pushtet antidemokratik.

Nëpërmjet këtij shkrimi do të doja t’ju kërkoj falje mallakastriotëve, por edhe gjithë votuesve të së majtës shqiptare që kam përkrahur, promovuar, por edhe mbrojtur fizikisht Kastriot Islamin; njërin prej ish-drejtueseve më të lartë të shtetit, tashmë i përdoruri më i lartë i pushtetit antidemokratik të Sali Berishës.

Nuk e bëj këtë për të përcaktuar nëse është Kaçi i Zi (sipas Berishes dhe popullit) apo Kaçi i Bardhë (sipas Berishës kur i duhen kokrrat) se këtë e keni parë e lexuar gjate gjithë javës së kaluar nëpër ekrane dhe blogje, ku Kaçi mundohej të mbronte nderin duke justifikuar “virgjërine” që ia prishen “Jakubinët”. … Ciçolina do ta kishte zili!!

Me qëllimin që lexuesi të kuptojë këtë ndjesë publike, jam i detyruar t’ju ekspozoj një fragment nga ditari im i periudhës shkurt-mars të vitit të mbrapshtë 1997.

 

“… një pasdite të kthjelltë fillim-marsi, pa rënë akoma muzgu, bie zilja e derës së vilës. Zakonisht nga kjo hyrje vinin pacientet, por meqenëse koha ishte e papërshtatshme dhe situata e rendit e trazuar, shkova vetë të shihja kush ishte. Pasi hapa derën, paraqiten dy persona, i pari më prezantohet si shoqëruesi i Kastriot Islamit, Qakua. Pas Qakos vërejta një person të shkurtër, të ngjeshur, i veshur me një pardesy grash bojëqielli, që i mbulonte deri edhe këpucët, dhe me kapuç që i kishte mbuluar pothuajse gjithë fytyrën. Për një moment mendova se mos kishte sjellë gruan për vizitë, por në çast Qakua m’u afrua dhe me zë të ultë me thotë: Kam sjellë Kaçin… I futa brenda dhe i ula në sallën e pritjes së pacientëve.

… Kastrioti, me zë të dridhur, që me të vërtete tregonte një frikë të brendshme, tha:

-Do doja të strehohesha disa ditë këtu se ndihem i rrezikuar në shtëpinë time ku shihen kapuçzinj të dyshimtë dhe forca të shumta të SHIK-ut që më kërkojnë.

U befasova nga kjo kërkese, aq më tepër që unë në punën time nuk e perceptoja situatën kaq të rënduar dhe të rrezikshme. Në vilën time nuk kisha as roje, as armë. Kastriotin e njihja shumë pak, e kisha takuar vetëm dy herë, herën e parë në një pritje dhe të dytën në klinikë, kur ma sollën për t’i mjekuar një plagë në kokë që ia kishin shkaktuar forcat e rendit gjatë një manifestimi te Rruga e Kavajës.

…Duhet të merrja një vendim të menjëhershëm. Hyra në sallonin e shtëpisë për ta diskutuar me gruan. Pasi ia thashë problemin, ajo me foli prerë:

-…Nuk di çfarë të them, ti e di vetë, bëj çfarë të duash, por mendo më shumë për vajzat se janë të vogla.

Kjo përgjigje ma vështirësoi edhe më shumë marrjen e vendimit…

U ktheva në sallën ku prisnin Kastrioti dhe Qakua. Pothuajse instinktivisht:

-Dëgjoni, u thashë: Nëqoftëse juve nuk ju ka ndjekur njeri deri sa hytë në shtëpinë time, këtu do të jeni i sigurt.

E akomodova Kastriotin në një nga dhomat e klinikës ku ai kaloi 12 ditët më të trazuara të katrahurës së marsit ’97, periudhë që i ka lënë vendit një njollë të zezë të pashlyeshme… i rrënoi ekonominë dhe i vrau shpresën për zhvillim demokratik.

 

Dy momente për t’u veçuar:

1… Në kulmin e pasigurisë, kur në media sajohej S. Brokaj me kallashnikov në krah-qafë, Kastrioti u frikësua shumë… Për ta qetësuar, i them:

-… Mos ki frikë se unë të kam hapur një kartelë, dhe n.q.s. vjen njeri, do t’i them se është një pacient që kam operuar… dhe i përgatita një fasho duke e porositur ta vinte në sy në momentin e duhur. Për fat nuk patëm as një shqetësim gjatë gjithë ditëve që ish- kryetari i parlamentit dhe deputeti i Kuvendit të vendit tim u strehua në shtëpinë time si “pacient” ilegal.

2… Një ditë para se të linte “vendstrehimin”, diskutuam për të ardhmen politike të vendit. Unë mbroja idenë e pajtimit kombëtar duke izoluar totalisht Berishën …(këtë ide e kisha krijuar më shumë nga të thënat e miqve dhe kolegëve të mi që rrinin shumë afër Berishës, sepse vetë nuk e njihja nga afër, e kisha takuar vetëm një herë në 1992, kur një kolegu im ma solli për darkë në shtëpinë time në Paris. Të gjithë e përshkruanin tê paparashikueshëm, të rrezikshëm dhe destruktiv… Ndërsa një kolegu i afërt i tij e cilësonte të djallëzuar, intrigant dhe të dhunshëm), ndërsa Kastrioti me një siguri në vetvete dhe i ngrefosur, më thotë:

-Dëgjo mik, mos e llogarit më Saliun, ai nuk do të ekzistojë më në politikë, do të merrem vetë personalisht me atë dhe të jap fjalën se për tre muaj do ta nxjerr të çmendur… e kupton apo jo”?!

Kuptova se siguria e ardhjes në pushtet e kishte bërë euforik.

–Po, i thashë, e kuptova, dhe brenda për brenda meje imagjinova një të ardhme të pasigurt, …ndjeva parafabrikimin e demokracisë (Para-Demokracinë) e këtij vendi, pra ky vend do t’i vijë rrotull demokracisë se nuk ka kapacitete për një demokraci të vërtetë. Europa mu duk shumë larg, edhe pse atje kisha jetuar gati 8 vite…

Kjo lloj përgjigje, ironia dhe vet-siguria e pavend që shfaqi Kaçi e kanë zvogëluar shumë figurën e këtij njeriu në sytë e mi, se, e konsideroja të shkolluar në Perëndim, por edhe me eksperience politike, ministër, deputet, kryetar parlamenti… kjo ka qenë arsyeja që unë më vonë i kam refuzuar Kastriotit të gjitha postet që më ka ofruar nga maja e “Olimpit” ku hipi pas zgjedhjeve.

Këto ishin pasazhet që vendosa të bëje publike pas 16 vjetësh, pra shumë më përpara kohës së kujtimeve, i detyruar nga klima e rëndë që krijoji media vizive dhe ajo e shkruar javët e fundit, pas aktit antikombëtar që bënë në parlament tre deputetë të opozitës, të cilat harruan problemet aktuale, të vërteta dhe të mprehta të demokracisë shqiptare dhe u morën me Kaçin.

Tentativa për ta viktimizuar apo heroizuar deri në atë pikë sa të tymosin se i dërguari i Departamentit të Shtetit erdhi në Shqipëri me urgjencë për manifestimin e paligjshëm para shtëpisë së një deputeti se sa për katastrofën që krijoi shkarkimi i një anëtari të KQZ-së, tregojnë konformimin e tejskajshëm (që tashmë është bërë modë) dhe papjekurinë e shoqërisë sonë për të kontribuar sado pak në përmirësimin e procesit demokratik dhe integrimit të vendit në familjen europiane.

Koha nuk vërtetoi asnjë nga “profecitë” e pacientit tim ilegal, përkundrazi duke ndjekur fjalën justifikuese të votës së tij “pro” shkarkimit të anëtarit të KQZ, dridhja e zërit, sytë e përlotur më sollën në kujtesë burrin me pardesy bojëqielli dhe në çast mendova se paska ndodhur krejt e kundërta e premtimit të tij solemn në atë ditë marsi ’97 para se të dilte nga ilegaliteti dhe të fitonte lirinë… të cilën s’e paska njohur kurrë.

Prandaj jam kurioz të pyes Kastriotin, madje mendoj se gjithë shqiptarët janë kuriozë të dinë:

-Si u thua TI Kastriot, sot këtyre njerëzve që për shkakun tënd  vunë në rrezik jetën e tyre dhe të familjes, pa pasur asnjë interes?

-Si u thua TI prindërve të tu, të cilët me lot në sy na falenderonin sa herë na takonin për “shpëtimin” e djalit të vetëm?

-Si justifikohesh TI para fëmijëve, bashkëshortes tënde, militante e rreshtave të para të protestave të asaj kohe?

-A e sheh dot sot në sy Arben Malajn, i cili vinte natën në errësirë dhe ju sillte ndërresat?

-Përse nuk e ke kurajën të shkosh të takosh zgjedhësit e tu?

Për të gjitha këto, unë, nuk di ç’të them veçse… udhë të mbarë!

Udhë të mbarë në bashkëpunimin afatgjatë me forcën politike që shkatërroi vendin; udhë të mbarë me personin që u betove që do ta përdorje, por të përdori sa deshi dhe si deshi, me personin që si objektiv nuk ka zhvillimin demokratik, por “ngrirjen e buzëqeshjes” apo “ngecjen në fyt të ngjalave” kundërshtarëve të tij politik, dhe që nuk arrin dot të kuptojë se ka vite që ka asfiksuar demokracinë dhe ka ndotur ambientin politik të vendit. Udhë të mbarë Kastriot se pretorianët po të presin; madje krahëhapur për të përdorur si të duan dhe kur t’ua lypë nevoja; por edhe për të mbrojtur nga Luther King-ët që manifestojnë, me kokën lart, 60 metra poshtë apartamentit tuaj, vetëm e vetëm se kanë një ëndërr, atë të mos-shpërdorimit dhe mos-trafikimit të votës që të kanë dhënë, të cilëve Ju arrini t’ua lexonit markën e rrobave të veshura, por jo ëndrrën. Udhë të mbarë Kastriot në  fatkeqësinë tënde, se ne, ish- miqtë e tu, mallakastriotët, progresistët, gjithë shqiptarët, kemi zgjedhur rrugën e kundërt me Ju, atë të Rilindjes.

Rilindja që do t’i japë pranverës 2013 rëndësinë e vjeshtës 1912, kur Shqipëria u shkëput nga otomanizmi; do t’i japë rëndësinë e marsit 1992 që rrëzoi sistemin komunist, por nuk arriti të mënjanojë neodiktaturën; sepse sot ne jemi bërë bashkë, me Kosovën, me Europën, me Amerikën.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.