“Hackerat e Berishës po na fshijnë statuset në Facebook"

Postuar në 30 Prill, 2013 07:54

Nuk mjafton vetëm që të fshihen komentet kundër në profilin e hapur nga kryeministri Berisha gati tre muaj më parë, për të lënë vetëm ato pro tij. Tani “policia” e PD në Facebook po fshin edhe statuset hedhura në profilet e kritikëve të ashpër të Berishës. Dje, u bënë të paktën tre denoncime, dy prej deputetëve të PS-së, Toçi dhe Braçe dhe një ish-politikani, Gjergj Zefi. Dje në mesditë deputeti Toçi njoftoi në profilin e tij në FB se: “Çuditërisht dhe në mënyrë të pashpjegueshme më është shuar nga faqja ime e FB shënimi që kam hedhur mbrëmë në lidhje me sulmin banal që kryeministri Berisha ndërmori dje ndaj akademikut Rexhep Qosja”. Më pas ai e rihodhi komentin ku mes të tjerash shkruan: “Të krahasosh Prof. Rexhep Qosjen me Sali Berishën është njësoj si të krahasosh malin me miun, të vërtetën me demagogjinë, demokratin me tribalin, intelektualin me mediokrin, çlirimtarin me pushtuesin, patriotin me tradhëtarin”. Të dielën pasdite, deputeti i PS-së, Erjon Braçe denoncoi fshirjen e statuseve të sapohedhura në profilin e tij në Facebook. “Nuk po shoh dy statuset e sotme, të mëngjesit për Kurum dhe atë të para pak për Rexhep Qosen”. Mbrëmjen e të hënën Braçe shkroi sërish duke sfiduar fshirjen e statuseve: “Besoj se tani e kuptuat që jemi pak më Përpara se ju!! S’dryshoni dot më gjë në këtë profil apo jo? Celula jonë antihaker mori kontrollin edhe një herë!!!”-shkroi deputeti i PS-së. Ish-drejtuesi i PAD-së në kohën e Neritan Cekës, tashmë kritik i ashpër i Berishës shkroi dje në FB: “Ky është pushtet haker, i paligjshëm, në grahmat e fundit të tij ... Mbrëmë 5 herë radhazi ata sulmuan adresën time duke zhdukur në mënyrë konsistente këtë status”. Statusi i Zefit niste me pyetjen: “Miq , a e keni vënë re që Sali Berisha nuk e përmend më Klanin e Zemunit?!”. Dhe jep sqarimet: “Damir Fazlliç, miku i i tij i familjes, është nipi i Jovica Stanshiç, ish shefit të UDB-së, me lidhje të drejtpërdrejta me Dushan Spasojeviç, shefin e klanit të Zemunit, që u vra nga policia serbe më 27 Mars 2003 , gjatë një operacioni kundër vrasësve të ish-Kryeministrit të ndjerë Gjingjiç. Damir Fazlliç është një ndër të akuzuarit për shantazh financiar, për lidhje me klanin e Zemunit, për komplotim në vrasjen e ish kryeministrit serb … Dhe ky njeri e ka marrë peng edhe kryeministrin tonë … Prandaj Berisha e do mandatin e tretë me çdo kusht…”. Po si fshihen statuset në profilet e të tjerëve? Koollaj, edhe pa hacker-uar faqen. Mjaftojnë që 15 përdorues të Facebook-ut t'i bëjnë report statusit apo fotos në FB dhe ato hiqen.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.