KQZ nis zgjedhjen e ekspertëve kontabël: Asnjë lidhje farefisnore deri në brezin e katërt me drejtuesit partiakë

Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur hapjen e pranimeve për të gjithë ekspertët kontabël të licencuar që kërkojnë të bëjnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara të partive politike për vitin 2012.
Përmes një njoftimi për shtyp zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj bëri të ditur se aplikimet e ekspertëve do të vijojnë deri më 15 maj duke shtuar edhe një sërë kriteresh, një nga të cilët është se personat që do të merren me auditimin e financave të partive nuk duhet të kenë asnjë lidhje farefisnore e as krushqie deri në brezin e katërt me drejtues partish.
Kriteret për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël
1- Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licencuar në 5 vitet e fundit.
2- Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël.
3- Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.
4- Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse.
5- Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
SHQIP
Add new comment