Islami: S’kam ende ofertë nga PD, jam për thyerjen e tabuve

Postuar në 02 Maj, 2013 02:59

 

Ish-deputeti i PS: S’kam thënë t’u thyejmë kafkat demokratëve.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islamim shprehet se nuk ka ende një ofertë nga Partia Demokratike për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë një interviste në emisionin “Prizëm” të gazetarit Aleksandër Furxhi, ai thotë se nëse do të ketë një ofertë konkrete, do të marrë një vendim të minutave të fundit.

“Nuk kam një ofertë konkrete të cilën unë duhet ta shikoj, dhe tjetra, edhe sikur të kisha një ofertë konkrete, sot akoma nuk kam një vendimmarrje midis këtyre dy opsioneve. Me sa duket është një vendimmarrje e vështirë, dhe do ta marr vendimin në minutat e fundit, siç e marrin edhe liderët shqiptarë për të nxjerrë listat në minutën e fundit”, thotë Islami, teksa shton se qëndrimi në politikë apo edhe largimi prej saj do të jetë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tij.

Megjithatë, ish-deputeti socialist shprehet edhe për thyerjen e tabuve. “Ne politikën e kemi filluar relativisht jo shumë të rinj. Te ne demokracia ka ardhur në vitin 1990 dhe kështu që mosha jonë matet me 20 vjet. Më këtë kuptim, ndryshimi i bindjes nuk është ndonjë gjë shumë e madhe do thosha unë, por nuk është as argument për t’u justifikuar. Unë doja të thosha dhe këtë gjë, unë doja të thyeja edhe një temë tabu”.

Ish-kryetari i Kuvendit ka folur dje edhe për një shprehje të përdorur në vitin 1993, se “do t’u thyente kafkat demokratëve”, ku në media u përfol se ishte pikërisht e tija. “Nuk është tamam kështu. Ka qenë momenti kur është bërë mbledhja për heqjen e imunitetit të zotit Nano në ’93-shin, ka qenë një mbledhje e Komisionit për heqjen e imuniteteve, ka qenë një debat dhe ka qenë dikush tjetër që e ka thënë dhe e kam transmetuar në media, por nuk është thënia ime ajo. Unë nuk jam dalluar ndonjëherë as për veprime retorike të këtij lloji”, deklaron Islami.

Lidhur me deklaratën e Kryeministrit për një bashkëpunim afatgjatë me të, ish-deputeti i selisë rozë shprehet: “Unë kam katër vjet që veproj ndryshe, kam një vit e gjysmë i përjashtuar nga PS dhe siç thashë, nuk kam pasur as presionin e një disipline formale, dhe vendimet e mia kanë qenë sipas ndërgjegjes sime, nuk janë bërë siç mund të ketë menduar ndonjëri, në funksion të ndonjë pazari apo marrëveshjeke, apo dhe bashkëpunimi me zotin Berisha, pavarësisht se atij kjo gjë i ka shërbyer, i ka volitur”.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.