Ruçi: Vrasja e Xhindit u harrua. Topalli: Prokuroria të gjejë autorët

Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë punimet pa asnjë datë konkrete për mbylljen e punimeve të legjislativit. Gjatë seancës parlamentare u diskutuan një sërë projektligjesh,ai për legalizimin e ndërtimeve informale të pas vitit 2006, për krijimin e fondit special për kompensimin financiar të pronave, si dhe projektligji për energjinë e rinovueshme. Parlamenti miratoi projketligjet me konsensusin e opozitës.
Topalli: Votoni 3 ligjet.Ruçi: Topi është në fushën tuaj
Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli përsëriti sërish sot apelin në drejtim të opozitës për të votuar 3 ligjet. “Ju ftoj të votojmë 3 ligjet e integrimit. Nuk mund të besoj që socialistët dhe demokratët të mos bashkohen për integrimin. Ju ftoj të bëjmë detyrën tonë”- u shpreh kryeparlamentarja. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ju përgjigj apelit të kryetares së Kuvendit duke theksuar : “Mos e kërkoni topin në fushën tonë, e keni në fushën tuaj. Mos kërkoni të lini përgjegjësinë këtej.”
Ruçi: Vrasja e Fatmir Xhindit u harrua
Gjatë seancës deputeti Ruçi kërkoi të mbahej 1 minutë heshtje në parlament, për deputetin Fatmir Xhindi, i cili u vra 4 vjet më parë. Me kërkesë të kreut të grupit të PS-së, deputetët nderuan ish-deputetin.“Pikërisht sot në datën dy, para katër vitesh është vrarë një kolegu jonë dhe katër vite në pushtet nuk zbuluat asgjë. Këtu ai ka djalin e tij, i cili sot nuk është në sallë, ka shkuar atje të vendosë lule në varrin e të atit”- u shpreh Ruçi. Topalli kërkoi nga autoritetet që të kryejnë detyrën për gjetjen e vrasësve të Xhindit,“Shprehim dhimbjen më të madhe dhe i kërkojmë prokurorisë të bëjë detyrën. Edhe njëherë i bëjmë ngushëllime familjes, ai ishte koleg i joni”, u shpreh ajo.
Metalla: Qeveria do legalizojë 80 mijë ndërtime pa leje
Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, tha se me ligjin e ri, qeveria parashikon të legalizojë më shumë se 80 mijë ndërtime pa leje. Ligji ekzistues, sipas tij, nuk përfshinte në proces legalizimi ndërtimet në distancë më pak se 100 metra nga rrugët kombëtare. "Me ndryshimet e reja ligjore, distanca nga akset rrugore e ndërtimeve që legalizohen shkon në 25-30 metra", tha ai. Projektligji “Për krijimin e fondit special për kompensimin financiar të pronave” solli debate midis opozitës e pozitës. Deputetja Adriana Gjonaj tha se fondi për kompensimin financiar të pronave parashikon që përqindja e të ardhurave që vijnë nga shitja e pasurive shtetërore të jetë jo më e fiksuar në 65 për qind të të ardhurave, por e variueshme nga 20 deri në 65 për qind.
Kodheli: Qeveria bën arnime ligji, nuk kthen pronat te pronari
Por për deputeten e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ky është vetëm një arnim që i bëhet këtij ligji. Sipas Kodhelit kjo qeveri nuk mund të zgjidhë në javën e fundit të mandatit të saj, problemin me pronat. “Nuk ka asnjë proces që ka dështuar totalisht, e shkruar kjo me gërma të mëdha në progres raportet e cila nuk mund të rregullohet me arnime. Nëse ka reformë dhe projekt për të cilën nuk duhet t’ju votojë asnjë pronar dhe ish pronar ky është pikërisht procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave”, tha Kodheli. Sipas Kodhelit, zyrat e hipotekës janë kthyer në celulë korrupsioni. “Pronarë harrojeni që në javën e fundit të pushtetit do zgjidhin atë që se kanë bërë për 20 vjet. Me arnime kjo situatë vetëm përkeqësohet, nuk zgjidh asgjë. Kjo qeveri ka bërë cdo gjë me pronat e qytetarëve, por asnjëherë se ka cuar tek i zoti”, tha Kodheli më tej. “Ne kemi vendosur ta votojmë por jemi të bindur që do jetë një tjetër letër pa vlerë”, u shpreh deputetja e PS.
Shalsi: Shkodra përmbytet, Berisha flet për central bërthamor
Gjatë diskutimit të pr/ligjit për energjinë e rinovueshme deputeti Eduart Shalsi tha se ka një treg të zi ku shume kompani kanë marrë licencë për arsye korruptive. Shalsi ironizoi kryeministrin Berisha duke u shprehur se Shkodra përmbytet ndërsa ai thotë se do bëjë central bërthamor. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeparlamentares Topalli. “Nuk do të keni rast të vidhni as me lezet e as pa lezet në katër vitet e ardhshme”, u shpreh ajo.
SHEKULLI
Add new comment