Berisha për emigrantët: Jam gati t’u garantoj votimin on-line

TIRANË Duke marrë shkas nga një mesazh i një emigranteje shqiptare në Britaninë e Madhe, e cila ngrinte si shqetësim pamundësisë për të votuar për zgjedhjet sepse ndodhej jashtë Shqipërisë, kryeministri Berisha tha gjatë mbledhjes së qeverisë se ai është gati në çdo kohë që ta krijojë këtë mundësi. “Qeveria ka qenë dhe është aktualisht e gatshme t’u krijojë atyre mundësinë e votimit on-line ose në çdo formë tjetër që të pranojë opozita, me qëllim që ky detyrim të cilin e përmbushin të gjitha vendet e qytetëruara të Evropës ta përmbushte edhe Shqipëria. Qeveria është e gatshme të mobilizojë çdo fond, të përshtatë çdo teknologji të sigurisë më të lartë që ekziston, në mënyrë që vota e çdo qytetari të ketë peshën që meriton, por mjerisht kjo nuk pranohet nga opozita”, – tha ai. Kryeministri shtoi se opozita kundërshtoi edhe kërkesën tjetër që lidhej me dhënien e të drejtës për të votuar 16-vjeçarët. “Në qoftë se do të kishte një komb që do t’i takonte të hapte dyert e qendrave të votimit për 16-vjeçarët, ky duhet të ishte kombi shqiptar. Por përsëri kjo nuk ndodhi dhe është e dhimbshme se një pasion i tyre për teknologjinë e lartë, like-t me sa duket janë bërë një lloj gogoli që e tremb opozitën nga vota e 16 vjeçarëve”, u shpreh ai.
MAPO
Add new comment