Përkujtohet 5 Maji, politika nderon e ndarë Dëshmorët e Atdheut

Dita e Dëshmorëve, 5 maj 2013 është përkujtuar e ndarë nga politika shqiptare. Të parët që vendosën kurora me lule ishin Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili u rreshtua përpara monumentit Nënë-Shqipëri, së bashku me kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit, Topalli dhe kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha.
Në përfundim të homazheve, kryeministri Berisha tha se sot është dita e përuljes para të rënëve të kombit, të cilëve u detyrohemi lirinë. “Çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para atyre vajzave e djemve, burrave dhe grave që me sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që shqiptarët sot t’i nderojnë ata në liri. Bënë të mundur që Shqipëria sot të jetë anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë. Bënë të mundur që sot Shqipëria të jetë një vend që ecën e sigurt në rrugën e integrimit evropian”,- u shpreh Berisha.
Më pas, rreth orës 11:00, opozita e bashkuar, me në krye liderin e PS-së Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta, u përkulën përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të Dëshmorëve të Atdheut. Në fjalën e tij Edi Rama tha se idealet e dëshmorëve janë sot të tradhtuara nga ata që drejtojnë shtetin. Duke e kthyer vëmendjen tek zgjedhjet, Rama u shpreh i bindur se e majta do të sigurojë një fitore plebishitare në 23 qershor. Sipas tij, “shqiptarët sot janë përballë zgjedhjes për të vazhduar rrugën e rrënimit apo për të mbështetur rilindjen kombëtare”.
Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se 5 maji, përveç kujtimin dhe nderimit të dëshmorëve, duhet të konsiderohet si një ditë frymëzimi për të ardhmen. “Jam i bindur se edhe 23 qershori do të japi një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe për të lartësuar më tej kujtimin dhe veprën e dëshmorëve”- u shpreh ai. Meta përsëriti edhe njëherë apelin e tij për miratimin e tre ligjeve, duke shprehur besim se edhe kreu i qeverisë, Sali Berisha do të japë kontributin e tij për këtë në ditët që vijnë.
Nuk munguan në kremtimin e kësaj date edhe një grup mbështetësit të Partisë Komuniste, së bashku me një grup përfaqësuesish të Aleancës Kuq e Zi, të cilët vendosën nga një flamur për çdo dëshmor. Pas homazheve, Lisen Bashkurti në emër të Aleancës Kuq e Zi u shpreh: “Sot është një ditë e madhe për mbarë njerëzimin, është dita kur kujtojmë rrënimin e nazifashismit në botë dhe triumfin e aleancës antifashiste. Është dita kur djemtë dhe vajzat më të mira të Shqipërisë flijuan jetën e tyre. Ne jemi borxhli për jetë të jetëve gjakut, sakrificës së tyre, që luftuan për një Shqipëri të lirë, të pavarur, për një komb dinjitoz, për liritë dhe të drejtat e njeriut. Ne kemi amanet si Aleancë Kuq e Zi t’i dedikojmë gjithë jetën tonë veprës së tyre madhore. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të kombit, i përjetshëm qoftë frymëzimi i tyre në jetën, luftën dhe përpjekjet tona për liri dhe demokraci”. . 5 Maji u kujtua sot edhe në të gjitha rrethet e vendit, ku përfaqësues të forcave politike, pushtetit lokal, familjarë dhe qytetarë të ndryshëm nderuan kujtimin e të rënëve për liri.
SHQIP
Add new comment