Kosovrasti: “Shkarkimi im, deklaratë e të majtëve, jo vendim”

Postuar në 05 Maj, 2013 13:36

 

Kreu i këshilltarëve të djathtë, Poni, thotë se nuk do ta njohin rezultatin e një veprimi joligjor

Shpresa Mezini

Votat pro largimit të kryetarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, kanë nxitur tension dhe deklarata të panumërta.

Mjaftoi votimi i zhvilluar dy ditë më parë në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku këshilltarët e majtë votuan për largimin e Njazi Kosovrastit si kryetar i këshillit, që situata brenda, por edhe jashtë institucionit të tensionohej së tepërmi. Duke marrë shkas nga ngjarja e ndodhur, vetë Kosovrasti e ka konsideruar mbledhjen e këshillit bashkiak të zhvilluar të premten si një grumbullim të paligjshëm të qytetarëve. Ish-kryetari i këshillit bashkiak nuk e quan të vlefshme mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe rrjedhimisht joligjor vendimin për shkarkimin e tij.

“Ajo nuk ishte një mbledhje e këshillit bashkiak, por një grumbullim i paligjshëm i qytetarëve. Nuk është një vendim, por një deklaratë e këshilltarëve që janë mbledhur atje ditën e djeshme. Pra, në të dy vlerësimet nuk ishte as mbledhje e këshillit bashkiak as vendim, por një deklarim i vullnetit të tyre”, theksoi Kosovrasti.

Të njëjtin qëndrim mban edhe kreu i këshilltarëve demokratë, Ferdinant Poni, i cili thotë se nuk do ta njohin rezultatin që është rrjedhojë e një veprimi joligjor.

“Veprimi i djeshëm është absolutisht i pavlefshëm. Kur të bëhet një mbledhje e ligjshme, nëse do bëhet, sepse nuk e di se çfarë mendimi ka pala tjetër, le të ndiqen procedurat si kudo. Me votim të fshehtë duhet të shkarkohet një, pastaj po me votim të fshehtë duhet të ngarkohet dikush tjetër nëse do duhet. Deri tani të gjithë e dimë se kush është kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ai e ka emrin Njazi Kosovrasti”, sqaroi Poni.

Mirëpo, opozita në Këshillin Bashkiak thotë se mbledhja dhe votimi ishte i ligjshëm, sepse u thirr nga 1/3 e anëtarëve dhe shkarkimi u votua me 39 vota.

Dy ditë më parë, në mesditë, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas më shumë se pesë orësh kanë arritur të zbatojnë rendin e ditës për të cilën u thërrit mbledhja. Me 31 vota kanë shkarkuar ish-kreun e këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti, ndërkohë që kanë emëruar kreun e ri të Parlamentit vendor të Tiranës, Aldrin Dalipin. Votimi, procedurat dhe të gjithë elementet e legjitimitetit janë respektuar për të kaluar dokumentacionin më pas në protokoll.

Kreu i ri i këshillit bashkiak, Aldrin Dalipi, pas marrjes së postit ka ftuar kreun e bashkisë, Lulzim Basha, për të mbledhur këshillin bashkiak brenda një kohe të shkurtër. Dalipi ka deklaruar se është i hapur për bashkëpunim. Por në mbledhjen e thërritur prej më shumë se tri javësh nga një e treta e anëtarëve të këshillit bashkiak, nuk ka qenë i pranishëm as kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, dhe as nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku. Rreth 4 ditë më parë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e cilësoi si luftë politike kërkesën e këshilltarëve të majtë për shkarkimin e Njazi Kosovrastit nga drejtimi i Këshillit Bashkiak. Sipas Bashës, kjo përpjekje bëhet për të shpërqendruar bashkinë nga punët e nisura.

“Unë nuk bëhem pjesë e akuzave që tentojnë të zhvendosin vëmendjen e bashkisë te lufta politike. Është fare e kuptueshme. Dikush mund të zgjedhë këshilltar apo jo këshilltar, mund të kenë shpresa për deputetë, që përpiqet të tërheqë Bashkinë e Tiranës në luftë politike. Ne bëjmë punën tonë, Këshilli Bashkiak ka rregullat e veta, funksionon sipas këtyre rregullave dhe Bashkia e Tiranës ka një dhe vetëm një detyrë, të zbatojë ligjshmërinë dhe këtë po bën. Ne si bashki jemi të përkushtuar të vazhdojmë punën tonë. Këshilli Bashkiak merr vendimet e veta”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.