Berisha në Berat: Hyjmë në zgjedhje me dy lista, atë të deputetëve dhe atë të veprave

Postuar në 07 Maj, 2013 15:30

 

Kryeministri Sali Berisha ishte pasditen e sotme në Berat, ku përuroi rrugën që lidh Urën Vajgurore me fshatrat Pashall dhe Bistrovicë e cila u shërben rreth 5500 banorëve të kësaj zone.
Në fjalën e rastit, Berisha kërkoi një tjetër mandat qeverisës për të realizuar atë që ai e quan Shqipëria Europiane.

Kreu i mazhorancës tha se Partia Demokratike dhe aleatët e saj paraqiten në zgjedhjet e 23 qershorit dhe kërkojnë një mandat të tretë me dy lista. Njëra prej tyre është lista e kandidatëve që kryeministri i quajti të shkëlqyer dhe tjetra është lista e veprave të realizuara dhe që do të realizohen.

Kryeministri shtoi se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë infrastruktura rrugore dhe punësimi. Ai premtoi gjithashtu heqjen e taksës mbi vlerën e shtuar për makineritë e prodhimit, masë që Berisha tha se do të ketë efekte pozitive në rritjen ekonomike.

“Infrastruktura rrugore dhe punësimi është prioriteti ynë dhe ne në këto zgjedhje në vijmë me dy lista, lista e kandidatëve të shkëlqyer dhe lista e veprave. Do nxisim rritjen ekonomike edhe pse jemi në kohën që ka rritje të ndjeshme, do heqim TVSH për të gjitha makineritë për prodhim që do ketë efekte pozitive”, deklaroi kryeministri.

Berisha akuzoi sërish opozitën për pengim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Kjo, tha ai, i hoqi Shqipëria qindra milionë euro investime që vendi do të përfitonte nëse do të merrej ky status.
Ai premtoi se edhe pse jemi në kohë zgjedhjesh, Parlamenti do të vijojë të mblidhet çdo javë dhe do të ketë në axhendë çdo seancë votimin e tre ligjeve, që njerëzit të kenë mundësi sipas tij, të shohin fytyrën e vërtetët bllokuese të opozitës.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.