Votimi i tre ligjeve, Meta: Maxhoranca mungesë serioziteti për integrimin

Mungesë serioziteti ndaj integrimit e ka konsideruar kreu I LSI-së Ilir Meta qëndrimin e maxhorancës ndaj tre ligjeve. Sipas Metës kryeministri i vendit Sali Berisha ftesës së tij për votimin e tri ligjeve të integrimit, brenda përfundimin të legjislaturës së Kuvendit iu përgjigj se do i votojë me referendum që pritet të mbahet në vjeshtë. Deklaratat kreu i LSI-së i bëri sot gjatë një takimi me banorët e Bërxullës. “Ditët e fundit unë bëra një propozim drejtuar kryetarit të PD-së dhe kryetarit të PS-së dhe ky propozim i imi ishte që t’i miratojmë këto tre ligje tani dhe këto të hynin në fuqi në shtator me parlamentin e ri në mënyrë që këto të konsiderohen të përfunduara në raport me partnerët tanë dhe ndërkohë zbatimi të fillojë me kuvendin e ri, shtoi z. Meta. Ndërkohë që ne kërkojmë që këto tre ligje të votohen që sot, vjen përgjigja nga PD-ja që këto ligje do t’i votojmë në shtator me referendum. Nuk ka sens, sepse të bësh një referendum për një çështje që mund të zgjidhet në parlament dhe ekziston tani mundësia dhe vullneti, duhet vetëm shpirti i kompromisit dhe i përgjegjshmërisë për të ardhmen e vendit, do të thotë që nuk e ke pasur seriozitetin deri tani çështjen e integrimit. Pse duhet të harxhojë shteti miliona euro për të bërë referendum në të gjithë Shqipërinë kur asnjë nuk e kundërshton çështjen e miratimit të tre ligjeve”, u shpreh ai. Sipas Metës vihet re një mbingopje e PD-së për pushtet në dëm të pavarësisë së institucioneve dhe se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik dhe për një ndarje të re të pushteteve.“Kohët e fundit sidomos pas procesit për zgjedhjen e presidentit po të vëmë re ka një mbingopje me pushtet të PD-së në dëm të pavarësisë së institucioneve. Presidenti është i PD- së, edhe gjithë institucionet e tjera që u zgjodhën me propozim të presidenti të ri janë të PD-së, tha ai. Përqendrimi i gjithë pushteteve në një dorë nuk është i shëndetshëm për demokracinë, ndaj edhe ka shqetësime dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sepse kjo nuk i shërben demokracisë, por kur nuk i shërben demokracisë nuk i shërben as ekonomisë së Shqipërisë e as ekonomisë suaj familjare. Nëse nuk funksionon demokracia nuk funksionojnë as elementët e tjerë të një shoqërie. Ndaj vendi ka një nevojë për një ekuilibër të ri politik, ka nevojë për një ndarje të re të pushteteve”, u shpreh ai.
MAPO
Add new comment