Ina Rama “thumbon” Llallën për të shkarkuarit

Postuar në 08 Maj, 2013 04:01

 

Ish-kryeprokurorja, pas kthimit në detyrë të 6 prokurorëve: Duhet të ndryshohet ligji

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Të dhëna

Detyra - Dalja publike ndodhi pikërisht në kohën që zonja Rama duhet të linte postin e kryeprokurores, pas llogaritjes së bërë nga shumë faktorë, madje edhe ndërkombëtarë

Ligji - Megjithatë, mazhoranca e lexoi ndryshe ligjin “Për prokurorinë” dhe e largoi disa muaj më parë dhe në vend të saj emëroi pikërisht Adriatik Llallën

Sokol Çobo

Në daljen e parë fizikisht publike, pas lënies së detyrës, ish-kryeprokurorja Ina Rama ka “thumbuar” kreun aktual të akuzës, Adriatik Llallën, për rikthimin në detyrë të gjashtë prokurorëve të shkarkuar. Gjatë një takimi të prokurorëve të përgjithshëm të 20 viteve të fundit, zonja Rama ka folur për “garancitë funksionale të prokurorëve”, duke u vënë theksin pikërisht “të gjashtëve” që u shkarkuan në kohën e saj dhe u emëruan në detyrë së fundmi, ndërsa tha se “faji” është i ligjit. Megjithëse nuk ka folur hapur për “zbatuesin” e këtij ligji, që e cilësoi me probleme, ish-kryeprokurorja, që zyrtarisht u largua nga drejtimi i akuzës pas përfundimit të mandatit, tha se kërkohet një garanci funksionale për prokurorët e përgjithshëm. Megjithëse indirekt, ajo foli për pozicionin e saj, i cili tashmë është “në ajër”. Ligji i ri, që u zbatua me përpikëri nga mazhoranca, flet se, pas përfundimit të mandatit të kreut të akuzës, ai emërohet në vendin që ka pasur para marrjes së kësaj detyre, apo në ndonjë vend të përafërt. Por zonja Rama ende nuk është emëruar në Gjykatën e Apelit, megjithëse ka bërë kërkesë në KLD. Në një letër të hapur për publikun, pas akuzave të mazhorancës se do të ishte pjesë e listave për kandidatë për deputetë të forcave politike, ajo rrëzoi deklaratat për përfshirje në politikë dhe tha se shpreson të shkojë në gjykatë. Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, pasi kërkesa e saj është “ngrirë”.

Dalja publike ndodhi pikërisht në kohën që zonja Rama duhet të linte postin e kryeprokurores, pas llogaritjes së bërë nga shumë faktorë, madje edhe ndërkombëtarë. Megjithatë, mazhoranca e lexoi ndryshe ligjin “për prokurorinë” dhe e largoi disa muaj më parë. “I gjithë aktiviteti i prokurorisë zhvillohet nën ombrellën funksionale të prokurorit të përgjithshëm. Mendoj se kuadri ligjor ofron garanci të mjaftueshme edhe për prokurorin e përgjithshëm. Ka nevojë për përmirësime”, tha Ina Rama, duke iu referuar rikthimit në detyrë të prokurorëve të shkarkuar. “Anulohet dekreti i presidentit për shkarkim, sepse konsiderohet që masa e shkarkimit është e papërshtatshme dhe prokurori kthehet në detyrën e mëparshme, sepse kështu është dispozita, por ndërkohë ligji nuk parashikon asgjë se si ndreqet ky proces, sesi rivihet në vend, qoftë edhe e drejta e prokurorit të përgjithshëm për të dhënë një masë ndëshkimore, qoftë detyrimi ose konsekuenca ligjore që duhet të mbartë mbi shpinë, prokurori që ka bërë një shkelje. Mendoj se është një handikap i ligjit dhe ndoshta do të ketë nevojë për një ndërhyrje ligjore që besoj se duhet ngritur dhe duhet reflektuar edhe në ligj”, vijoi ish-kryeprokurorja.

Disa javë më parë, gjashtë prokurorët e shkarkuar nga ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama u rikthyen në detyrat e tyre të mëparshme. Ata e kanë fituar këtë të drejtë me vendim të formës së prerë. Të gjashtë prokurorët, edhe pse kishin fituar gjyqin, prej kohësh nuk janë kthyer në detyrë nga ish-prokurorja e përgjithshme, me argumentin e mungesës së fondeve për pagesat e tyre. Kjo çështje u kthye madje edhe në konflikte publike mes prokurorëve të shkarkuar dhe ish-shefes së tyre, të cilën e kanë akuzuar vazhdimisht për moszbatimin e vendimeve të formës së prerë të dhëna nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Gjashtë prokurorët janë shkarkuar për shkelje në detyrë me dekret të ish-presidentit të republikës, Bamir Topi, rreth tre vjet më parë. Që prej asaj kohe, prokurorët kanë nisur një betejë gjyqësore, duke kërkuar shfuqizimin e dekretit që i shkarkon ata nga detyra dhe rikthimin në detyrën e mëparshme. Tre prej prokurorëve, pasi kanë konsumuar të tria shkallët e gjyqësorit, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar parregullsi në proceset e mëparshme.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.