Mero Baze: Lista e PD është fitore e fëmijëve të Berishës. Lëvizjen e Nanos e sponsorizon kryeministri

Drejtori i gazetës TemA, Mero Baze, flet për gazetën Dita
Në një editorial mbi listat e saposhpallura keni thënë që objektivi i Berishës tashmë është më i qartë: Vlora, Durrësi dhe Fier. Pse mendoni kështu?
Vlora, Fieri dhe Durrësi janë tre qarqet që opozita synon të bëjë diferencën e thellë. Objektivi i saj është ta nxjerrë Vlorën 8 me 4, Fierin 10 me 6 dhe Durrësin 7 me 6. Në të tre këto qarqe Berisha ka pas pak shanse t’i mbijetojë politikisht këtij rezultati dhe shansi po i vjen nga gabimet e opozitës. Agron Duka po kandidon për Berishën, ndërkohë që një muaj më parë ka qenë Sekretar i Programit për Bujqësinë në PS dhe i anatemuar prej Berishës. Përse ndodhi kjo? Natyrisht që Duka ka kusuret e veta, por problemi i komunikimit dhe transparencës në listë ka peshën kryesore. Ai po shkon sot të hakmerret ndaj PS dhe jo të fitojë. Është duke bërë diçka primitive, por për shkak të një gabimi thelbësor politik nga Rama, që nuk di të vendosë komunikimin me ekipin e tij.
Në Fier po ashtu Dritan Prifti po kandidon i pavarur, në një oaz elektoral të tij, ku mund të marrë aq vota sa t’i heqë një mandat opozitës. Ai pretendon se opozita e persekutoi duke mos i lejuar kandidimin me asnjë parti brenda koalicionit dhe kjo është sërish një kosto elektorale.
Po Vlora?
Një tjetër fenomen negativ u krijua në Vlorë. Arben Malaj, një kontestues i pa tru i vijës së Partisë Socialiste, që ka qenë në një gjatësi vale me Berishën për katër vjet, në vend që të sfumohej në kohën e duhur, u pompua nga Edi Rama, u rizgjodh në kryesi dhe pasi u forcua politikisht, u zbua. Kjo i jep atij të drejtën tani të hiqet si një i persekutuar, ndërkohë që i persekutuari i madh në këtë mes është PS prej tij për katër vite rresht. Unë nuk mund të kundërshtoj kauzën e një deputeti që kërkon të sfidojë partinë si i pavarur, edhe pse s’do të votoja kurrë një person si Arben Malaj. Në rastin konkret ai duket si një pjesë e një plani të listës Nano për të sfiduar Ramën, por që ia kanë dalë. Rama nuk ia ka dalë t’i bëjë të parëndësishëm.
Keni shkruar që pas kësaj liste Rama “së paku duhet të jetë i qartë se nuk është aq afër suksesit sa ishte më 1 prill dhe nuk është aq afër lidershipit në PS, sa ishte para 1 prillit”. Çfarë kini parasysh me këtë?
Euforia e marrëveshjes me Ilir Metën është sfumuar duke asgjësuar disa avantazhe që sillte ky bashkim. Në Durrës aq vota sa sjell Lefter Koka për opozitën, i heq Agron Duka për Berishën, në Fier dhe Vlorë po ashtu. Dhe kur them se nuk është aq afër lidershipit të PS sa ka qenë, kam parasysh që gjithë pakënaqësitë e krijuara nga mungesa e komunikimit me ekipin e tij, do të kthehen në favor për Ilir Metën, ku shumë socialistë ndjehen më të sigurt dhe më të qartë.
Çfarë nuk duhet të kishte një listë e mirë deputetësh sipas Mero Bazes?
Një listë e mirë deputetësh është një listë që përfaqëson tiparet e opozitës, konsekuencën, begraundin opozitar, majtizmin në rastin konkret të kësaj opozite, dhe disa simbole besimi tek morali dhe ndershmëria në politikë, që edhe pse duken jashtë mode, për mua mendoj se vlejnë ende më shumë se sa paratë. Lista e PS ka plot diamante të fshehura nën baltën që ka ndotur listat.
Lista e PD-së ka lënë jashtë 35 emra aktualë. Mendoni se edhe kjo do kalojë si çdo gjë tjetër në PD, pa kundërshti? Cili është mendimi juaj për listën e PD?
Lista e PD-së është një fitore e fëmijëve të Berishës për të zhdukur nga PD çdokënd që nuk kanë pasur nën kontroll dhe i kanë hapur kështu rrugë marrjes së plotë të kontrollit mbi partinë. Kanë lënë jashtë liste emrat më të shquar të PD-së, intelektualët më të spikatur dhe e kanë mbushur listën me njerëz ordinerë që janë të punësuarit informalë të fëmijëve të Berishës. Ka ngelë jashtë liste Ilir Rusmali dhe ka hyrë shoferi Shkëlzenit, që quhet prefekt në Tiranë, kanë lënë jashtë liste Mark Markun, student i Dhjetorit dhe kanë futur Kastriot Islamin që u ka mbyllur studentëve universitetin në vitin 1991, kanë hequr Jemin Gjanën dhe kanë futur një biznesmen lojërash fati… Është një spastrim i menduar për çdo figurë të PD-së që mund të bëjë rezistencë në emër të biografisë së tij politike. Janë lënë thjesht njerëzit që i kanë shërbyer djalit dhe vajzës së Berishës.
Ju flisni për tripolaritet në listat e PS: Rama-Meta-Nano. Nga sa deputetë të shpallur e të pashpallur kanë këto tri pole sipas jush me përafërsi dhe a mund të ripërçahen këto pas 23 qershorit ? (Berisha ka kandiduar tashmë në vende të sigurta emra si Islami apo Idrizi, por garojnë edhe Duka, apo së fundmi Malaj, që shihen si njerëz të Nanos. Mendoni se edhe Berisha po investohet për krijimin e një poli Nano?)
Sponsori i vetëm i lëvizjes Nano prej vitit 2011 ka qenë Sali Berisha. Në këtë rast është konkret. Ai po përsërit veprimet e viteve 2007, 2009 dhe 2011. Fatos Nano me sa duket vuan nga Sindromi i Stokholmit. Ka rënë në dashuri me persekutorin e tij.
Pse ka ngjallur kaq reagime kandidimi i Kokëdhimës në Vlorë?
Është diçka që e fryn më shumë se duhet Berisha, pasi kërkon të zhurmojë me Kokdhimën, Klanin Koka që ka marrë në PD. Histeria rreth Koços është paksa e fryrë dhe nga e majta. Unë realisht isha i trembur siç ishin hapur fjalë se mund të kandidonte vajza apo gruaja e Kokëdhimës. Ajo do ishte diçka poshtëruese për PS, pasi do të dukej si gjobë për mblesin e koalicionit. Kokëdhima vetë, në këtë gjendje që e ka katandisur Berisha, është thjeshtë një botues. Nuk është më biznesmen se i kanë falimentuar gjithë bizneset dhe nuk është më poshtë intelektualisht se shumica e deputetëve të këtij parlamenti. Thjesht jetojmë të gjithë atë çka Berisha na ka ofruar për figurën e tij dhe lidhjen me Ramën. Pas zgjedhjeve të vitit 2011, kur Rama u largua me dhunë nga Bashkia në Tiranë, Kokëdhima u bë thuajse aleat i Berishës dhe Metës dhe nuk fliste me Edi Ramën. Të gjithë e mbajmë mend se Berisha jo vetëm nuk e sulmonte, por e ftonte në pritjet e tij. Tani është ribërë i keq se është mbles i koalicionit. Por nuk mund të themi që Kokëdhima nuk është i majtë. Ai ka qenë më shumë se i majtë, ka qenë një komunist dhe pjesë e nomenklaturës komuniste. Ka qenë Sekretar i Parë i Rinisë në Fier, dhe politikisht është më lart se shumë deputetë të tjerë. Uroj që kur të bëhet deputet dhe ta shikoj që rroga merret çdo fillim muaji, ta aplikojë këtë dhe për gazetarët e vet.
TEMA
Add new comment