Fraksion në PD, gati platforma kundër Berishës

Postuar në 09 Maj, 2013 03:41

 

Deputetët e mënjanuar nga lista, gati të shpallin një forum të ri politik. Kandidimi i kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, në qarkun e Shkodrës irriton anëtarësinë. Rebelohet baza dhe ish-deputetët.

 

-Disa prej deputetëve aktualë dhe eksponentëve të Partisë Demokratike po bëjnë gati një grupim të ri politiko- shoqëror kundër kreut të demokratëve dhe kryeministrit Sali Berisha. Burime brenda disa prej degëve të PD-së në Durrës, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Elbasan si dhe Lushnjë bëjnë me dije se javën që vjen dhe ditën që PD-ja do të prezantojë kandidatët për deputetët të saj në Tiranë, do të legalizohet dhe publikohet një grupim i ri i djathtë me ish-eksponentë dhe deputetë aktualë demokratë. Ata do të shpallin kundërshtinë dhe platformën e re kundër liderit autoritar Berisha. Të kontaktuar nëpërmjet telefonit deputetët si, Kreshnik Çipi, Selami Xhepa, Fatos Hoxha, Leonard Demi si dhe kreu i PD-së në Durrës ish-ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferi janë shprehur se javës që vjen do të dalin publikisht për të folur mbi eliminimin e tyre nga listat e PD-së si dhe futjen në radhët e kandidatëve të tre ish-socialistëve si Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani. Burime brenda të larguarve nga PD-ja bëjnë me dije se përjashtimi i tyre është bërë për shkak të kundërshtive të herëpashershme në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së. Duket se ata janë vënë në rreth nga kreu i selisë ‘blu’ si klan i njërës palë në PD apo i palës tjetër. Sipas tyre, Berisha ka bërë këtë spastrim me qëllim që të eliminojë zërat kundër tij dhe të përfolurit si pasardhës të tij, Bashës.

Deputetët e ulur në renditje

Deputetët e ulur në renditje nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, të cilët nuk do të jenë më pjesëtarë të legjislaturës së ardhshme, pasi tashmë ose nuk janë rikandiduar, ose janë vendosur në listë në vende që nuk kanë shpresa për të rimarrë mandatin e deputetit, shprehen me tone kundërshtuese për të zgjedhurit e Berishës. Të kontaktuar nëpërmjet telefonit, pjesa më e madhe e të kandiduarve në vende jo të sigurta për deputetë, u shprehën se nuk do të dalin në fushatë për PD-në ose do të jenë prezent vetëm në momentet kur do të jetë kryetari i PD-së, Berisha në takime dhe tubime elektorale. Kjo do të dobësojë shumë votimin pro PD-së në zgjedhjet e ardhshme, sipas deputetëve, pasi aksesi i tyre në bazë është i madh.

Kryetarët e partive aleate

Krerët e partive të tjera aleate të PDsë, në bazë të marrëveshjeve që kanë bërë me këtë forcë politike, do të jenë pjesë e listës së demokratëve, por kjo nuk shihet me sy të mirë nga të zgjedhurit e PD-së. Ata që nuk janë përfshirë në lista ose janë përfshirë në vende jo të sigurta për deputet, janë shprehur se janë bërë kurban i përfshirjes së këtyre kryetarëve në listat e PDsë. Edhe pse nuk renditen në krye të listave, kryetarët e parive aleate si, Fatmir Mediu i PR-së, i cili do të jetë i 4-i në listën e PD-së në Qarkun e Korçës, Shpëtim Idrizi i PDIU-së, i cili do të jetë i 4-i në Fier, Dashamir Shehi i 7-i në Tiranë dhe Nard Ndoka i PDK-së do të jetë i 4-i në listën e PD-së në Shkodër, do të jenë deputetë të sigurt pas 23 qershorit në Kuvendin e Shqipërisë. Vendosja e tyre në listat e sigurta të PD-së, ka bërë që baza në këto katër qarqe e sidomos në Shkodër, ku nënkryetarja e PD-së Topalli ka një influencë të madhe, të mos pranojë dhe kundërshtojë hapur në forumet e partisë kandidaturat si Ndoka, Mediu dhe Idrizi. Për Dashamir Shehin e LZHK-së, demokratët nuk kanë shprehur pakënaqësi pasi e konsiderojnë si rikthim në shtëpi. Kandidimi i Nard Ndokës është kundërshtuar edhe nga kryetarë të partive të tjera aleate të PD-së duke thënë se, ai është i pabesueshëm dhe pas votimeve do të shitet tek Partia Socialiste menjëherë pas mandatimit të tij në Kuvend

Berisha: “E kuptoj që ka njerëz zemërthyer”

Kryeministri Sali Berisha ka mbledhë mbrëmë gjatë orëve të vona Kryesinë e PD-së, ku ka deklaruar se kupton që ka njerëz zemërthyer se kanë mbetur në pozicionin që se meritojnë, duke nënkuptuar deklaratat kundër tij një ditë më parë bërë nga kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi.“Gjërat provohen, u konstatohen pasojat, dhe pastaj është në meritën e politikbërësve të ndërhyjnë. Unë insistova për maxhorancë me ligj, nuk deshi. Edhe kjo që të përjashtosh nga parlamenti një numër partish të cilat votat për deputet i kanë, nuk është e ndershme.”- tha Berisha. Kryetari i PD është koshient për pakënaqësitë e shkaktuara brenda grupimit politik të tij me zyrtarizimin e listave, por në të tilla kushte sipas tij kjo formë është më e ndershme dhe organike e koalicionit. “E kuptoj që ka njerëz zemërthyer se kanë mbetur në pozicionin që se meritojnë. Por PD-ja në zgjedhjet e 2009 ka marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve, për shkak të sistemit.”- u shpreh Berisha. Kreu i selisë ‘blu’ vlerësoi listën e Tiranës, duke e cilësuar edhe njëherë si më të mirën, ndërsa paralajmëroi se fushata do të jetë pozitive, larg akuzave, sharjeve apo fyerjeve.

Selami përfundon në Librazhd, Çota jashtë liste

Katër prej deputetëve aktualë të cilët nuk janë përfshirë në listat e PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit, si Jemin Gjana, Rrahim Cota, Pulina Hoti dhe Ismail Hoxha i janë bindur verdiktit të kreut të PD-së, Berisha, për mospërfshirjen e tyre në listat e demokratëve për deputetë. I kontaktuar nga gazeta Shekulli, deputeti aktual i Librazhdit Rahim Çota, i cili renditet në vend të 9-t në listën e qarkut të Elbasanit, deklaroi se, “rezultatet zgjedhore të 2009-ës dhe 2011- ës kanë përcaktuar 7 me 7 qarkun e Elbasanit. Për mendimin tim të përfshihesh në listat e dy partive kryesore është një privilegj dhe nder që të bëhet. Kush nga kolegët merret me numrat, ose nuk e meriton ose nuk është fisnik për të përfaqësuar qytetarët e vet.

Për mua është nder që më ka zëvendësuar z. Eduard Selami, një nga figurat karizmatike të politikës shqiptare. Do të jem në krah të tij për të thelluar fitoren”, tha Çota. Ndërsa deputeti Ismail Hoxha nënvizoi se, “unë nuk dëshiroj të merrem shumë me këto se është një praktikë e konsoliduar nga partitë dhe është një temë e gjerë. Çdo parti ka një praktikë, shikojnë, marrim mendime, por vendos kryesia në fund fare. Gjërat janë normale, edhe lëvizje do të ketë”, tha ai. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend, Jemin Gjana, një nga deputetët më të vjetër të PD-së, gjatë një prononcimi për ‘Shekulli’-n tha se, “listat sipas meje janë funksion i zbatimit të statuteve, hartuar dhe bazuar mbi statutin e partive për sistemin që ne kemi. Sa i përket personit tim, jam krejt i qetë, pa asnjë shqetësim. Ndërkohë që vazhdoj ta quaj veten pjesë dhe ortak të PD-së, ortakëri që as nuk ia jap kujt dhe as nuk ma merr kush”, tha Gjana. Deputetja e qarkut të Lezhës, Paulina Hoti, deklaron se, “Sot isha në komisionin hetimor. Jo për konformizëm, as për idealizëm. Në familjen time më kanë edukuar që kur të marr një angazhim t`i shkoj deri në fund! Do të jem atje deri në fund të misionit tim!”, tha Hoti.

   SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.