Thanë fjalë të rënda për homoseksualët, Spahia dhe Lame duhet të kërkojnë falje

Postuar në 10 Maj, 2013 03:08

 

Komisionierja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, ka urdhëruar që Artan Lame dhe Ekrem Spahia të kërkojnë falje ndaj komunitetit të homoseksualëve në Shqipëri.

Vendimi i komisioneres është bërë publik të enjten, e në bazë të tij urdhërohen të dy përfaqësuesit e politikës shqiptare të kërkojnë falje publikisht për fyerjet që kanë bërë me qëndrimet e tyre ndaj këtij komuniteti.

Vendimi i znj. Baraku detyron Spahinë dhe Lamen që brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit, jo vetëm të kërkojnë ndjesë, por në të ardhmen mos të përsërisin më gabime të tilla.

“Në të ardhmen të evitojnë përdorimin e gjuhës, e cila prodhon efektin e nxitjes, shpërndarjes ose promovimit të urrejtjes ose formave të tjera të diskriminimit kundër personave për shkak të orientimit seksual”, thuhet në urdhrin e znj. Baraku.

Vendimi i Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ardhur pas ankesave të bëra nga komuniteti LGBT, pas deklaratave që Artan Lame dhe Ekrem Spahia kanë bërë publikisht.

Artan Lame në një shkrim të tij, pas zbulimit të mostrës së pedofilisë, Ardian Prrenjasi shkruante se: “Rezulton se kishte deviacion të lindur apo të nxitur gjatë ushtrisë, atëherë është e kotë të thërrasim sot “në litar, në litar”, pasi është njësoj sikur të dënojmë me varje edhe gay-t apo gjithë LGBT-rat”.

Kjo frazë e Lamës është konsideruar fyerje nga ky komunitet po aq sa dhe deklaratat që Ekrem Spahia ka bërë gjatë një interviste televizive kur tha se partia e tij do luftojë në parlament për të ndaluar ligjërimin e martesave brenda së njëjtës gjini dhe aborteve. Spahia është shprehur edhe se do i kapë homoseksualët në dru.

Kaq ka mjaftuar që përfaqësuesit e LGBT-së, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj, për të vendosur dinjitetin në vend, t’i drejtohen Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi./l.ç

    TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.