Berisha: Rama udhëton me autobus luksoz

Postuar në 11 Maj, 2013 08:45

 

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka vizituar sot Kukësin ku ka inauguruar përfundimin e segmentit rrugor Kukës–Shishtavec.  Në fjalën e tij Berisha e cilësoi Kukësin “kampion politik” dhe uroi që në të ardhmen të kthehet edhe në “kampion në futboll”.

 

“Kukësi është kampion politik dhe uroj që në të ardhmen të jetë kampion edhe sportive. Kam kënaqësi që inauguroj sot këtë rrugë një premtim i kahershëm për Shishtavecin, Zapotin dhe Stojanin. Rruga është vetëm përpjekja jonë e parë drejt këtyre maleve”, u shpreh kreu i PD-së.

 

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur para pak muajsh, opozita ka akuzuar Ministrin e Brendshëm, Flamur Noka se ka rritur në mënyrë fiktive numrin e popullsisë për këtë qark me qëllimin që të mos i hiqej një mandat deputeti. Si përfundim, mandati i deputeti iu hoq qarkut të Beratit dhe Korçës dhe i kaloi Tiranës dhe Durrësit.

 

Më pas Berisha e cilësi Kukësin gjithashtu kampion edhe për pataten. “Përveç turizmit rëndësi të madhe ka zhvillimi i fermave bujqësore dhe blegtorale. Kjo është zona e patateve më të mira të Shqipërisë”, tha ai.

 

Më tej Berisha, nuk la pa sulmuar liderin e opozitës, Edi Rama, duke thënë se po pengon statusin e vendit kandidat dhe mohon çdo zhvillim pozitiv në vend. Gjithashtu e akuzoi se po bën fushatë me autobus luksoz.

“Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe kërkon ku të gjejë një gropë dhe del burri dy metra i gjatë në një gropë me të thënë mendja se, i kanë bërë vetë gropat. Z. Rama të them këtu se rrugën në Shqipëri janë nderuar në katër anë, vetën në Kukës janë mbi 500 km”, u shpreh Kryeministri.

Nga pamja autobusi që përdor Partia Socialiste për fushatën zgjedhore duket se nuk ka asgjë të veçantë dhe është njëlloj si ata që përdoren për transportin interurban. Por sipas Berishës ai është luksoz. Nëse e krahasojmë me fushatën në SHBA, autobusi që përdori Obama gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2012-s ka kushtuar 1.1 milionë dollarë.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.