Balla: Ndërsa familjet shqiptare rrënohen, Familja e Berishës pasurohet çdo ditë

Postuar në 15 Maj, 2013 15:05

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se i ka rrënuar ekonomikisht familjet shqiptare gjatë qeverisjes së tij.

Deputeti Taulant Balla ka thënë se, ndërsa familjet shqiptare varfërohen çdo ditë, Familja e Berishës veçse pasurohet.

“Sot në mbarë botën festohet dita ndërkombëtare e familjes!

Por në Shqipëri, e vetmja familje që feston është vetëm familja në pushtet!

Sepse kjo qeveri e dështuar dhe e korruptuar ka dështuar është tallur me familjet e thjeshta dhe të ndershme Shqiptare!

Sot në ditën ndërkombëtare të familjes, shqiptarët duhet ta kenë të qarte se ndërkohë që buxhetet e familjeve të tyre rrënohen dita ditës, vetëm një familje pasurohet çdo ditë e më shumë.

Familja në pushtet, në sajë të interesave korruptivë dhe klientelistë shndërroi partinë demokratike në një parti familjare dhe nëpërmjet saj shndërroi shtetin në një pushtet familjar, në shërbim të devotshëm të përmbushjes të interesave të familjes.

Një shtetth i vogël, i zvogëluar aq shumë sa një numër celulari në rubrikën e Argitës e Shkëlzenit, të cilët me telefon vejnë dhe heqin drejtorë, deputetë apo ministra.

Një shtetth i vogël që ka braktisur familjen shqiptare në mëshirë të fatit dhe që tani kujtohet për t’u kërkuar votën, me të vetmin qëllim, mbrojtjen e pushtetit, të pasurive dhe të privilegjeve të veta”, ka thënë Balla gjatë një konference shtypi.

Ai u shpreh se Berisha premtoi 160 mijë vende pune, por që në fakt, që nga viti 2008, 51 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës.

“Sali Berisha dështoi me familjet shqiptare sepse sot në Shqipëri numërohen 1 milionë shqiptarë të papunë.

Premtoi që do të krijonte 160 mijë vende të reja pune dhe ndërkohë nga vetë shifrat e INSTAT-i i tij provojnë se nga 2008, 51 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës.

Sot Sali Berisha iu detyrohet familjeve shqiptare 211 mijë vende pune borxh.

Varfëria reale është rreth 40% dhe në disa rrethe edhe mbi 50%.

Varfëria reale e matur në kontekstin e fuqisë blerëse është mbi 62%, më e larta në rajon.

Sot familjet e varfra përfitojnë mesatarisht vetëm 35 cent USD (36 lekë) në ditë për çdo familjar.

Në krahasim me vitin 2008, numri i familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike është rritur me 6 mijë familje më shumë.

Çmimi i energjisë elektrike është rritur me 80 %:

Uji është dy herë më i shtrenjtë se në vitin 2005;

çmimet e ushqimeve janë rritur me 60% – 100%,

Shëndetësia e të gjitha shërbimet publike janë tashmë një mall i shtrenjtë i papërballueshëm.

Sot shqiptarët janë të zhytur në borxhe, më shumë në rrugë informale se formale”, u shpreh deputeti socialist.

“Askush nuk e vë në dyshim që ekonomia e Saliut, Argitës, Shkëlzenit është rritur;

askush nuk e vë në dyshim që shërbimet publike nuk i kanë zhgënjyer kurrë Saliun, Argitën Shkëlzenin;

askush nuk e vë në dyshim që klima për të bërë biznes për Argitën, Shkëlzenin është më miqësorja në botë;

askush nuk e vë më në dyshim që drejtësia i ka shërbyer më së miri Argitës, Shkëlzenit, e oborrtarëve të tyre.

Por dhe 39 ditë kanë mbetur për të çliruar Shqipërinë nga pushteti sundues i familjes parti shtet. Dhe 39 ditë mbeten nga dita kur familjet shqiptare do të marrin frymë lirisht dhe në një qeverisje të re që ka shqetësim parësor shtetin jo pushtetin”, përfundoi ai./b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.