Ibraj: Plan B për zgjedhjet, do të ketë të papritura

-Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, shpreh shqetësimin për situatën e krijuar para zgjedhjeve dhe për tensionimin mëtejshëm të saj. Gjatë takimit të Forumit Civil, Ibraj, i cili ka shërbyer për dy vjet si Këshilltar i Kryeministrit për Sigurimin Kombëtar dhe Drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në Këshillin e Ministrave, i kërkon institucioneve të sigurisë që të kenë gati planin B.
Plani B për sigurimin
“Unë jam i shqetësuar dhe si qytetar për faktin se, jo thjesht para zgjedhjeve, por nëse nuk bëhet kompozimi i menjëhershëm i KQZ-së vërtet problemet do të jenë madhore. Parlajmërimet i kanë dhënë SHBA, BE dhe zyrtarët e tjerë. Nuk e di se çfarë pret politika në tërësi. Duhet të rritet sensibiliteti. Shikojmë që partitë vërtet po bëjnë fushatë dhe po presin shirita nëpër fushata, por do të ftoja që institucionet e sigurisë kombëtare, duhet menjëherë të përgatisin planin B, planin e situatave të papritura. Është i domosdoshëm sepse ka mbetur shumë pak kohë. Shqetësimet ne i njohim dhe më vjen keq që ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA dhe BE, nuk po dëgjohen me vëmendje dhe nuk po dëgjohet reagimi që ne duhet të kemi. 23 qershori është shumë afër dhe nuk po flasim për çështjet e tjera”, theksoi ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj. Në fjalën e tij, Ibraj u shpreh se që prej vitit 2003, KQZ-ja edhe ligjërisht është e politizuar. “Kanë kaluar 13 vjet dhe ne sot kemi një KQZ që ligjërisht është e politizuar që me ndryshimet e 2003-it. Edhe një ndeshje futbolli nuk zhvillohet nëse mungon një arbitër. Si mund të zhvillohen zgjedhjet në këtë situatë? Kush do t’i certifikojë? Kush do të jetë produkti?”, u shpreh Ibraj.
SHEKULLI
Add new comment