Karburantet, Qeveria injoron Parlamentin

Postuar në 18 Maj, 2013 03:56

 

Koncesioni monopol i markimit të karburanteve hyn në fuqi si VKM në Fletoren Zyrtare

Ministria e Financave çon deri në fund planin e nisur, duke kapërcyer me forcën e pushtetit çdo “pengesë”. Duke qenë se koncesioni i ri, ai i markimit të karburanteve, për një periudhë 10-vjeçare, krijonte një treg monopol me vlerë 150 milionë euro të ardhura, procedura duhet të shkonte për diskutim tek Autoriteti i Konkurrencës. Ky autoritet u shpreh me rezerva për modelin e propozuar nga Ministria e Financave, kurse kjo e fundit deklaroi se do ta anulonte. Në fakt, nuk bëri kështu, por vijoi planin.

Ky ishte një injorim i hapur ndaj një institucioni si Autoriteti i Konkurrencës, detyrat e të cilit janë të mbrojtura me ligj dhe përmbajnë themelet e funksionimit të një tregu të lirë ekonomik.

Por ky është vetëm njëri veprim dyshues se qeveria e kishte ndarë mendjen për zbatimin e projektit, varianti i të cilës aplikohet vetëm në vendet e botës së tretë.

Sikurse bëri të ditur dje “Top Channel”, qeveria ka vendosur të anashkalojë Parlamentin në koncesionin e shumëpërfolur për markimin e karburanteve.

Kontrata

Kontrata që i jep monopolin e këtij shërbimi një kompanie private nga Austria, ka hyrë në fuqi thjesht me vendim të qeverisë, edhe pse më parë ishte deklaruar se do të kalonte në Kuvend.

Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare thuhet: “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G. Ndërsa në pikën 3 qartësohet se kontrata hyn në fuqi menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare.

Kjo është hera e parë kur qeveria transferon një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme, duke përjashtuar Parlamentin nga procedura e miratimit. Disa ekspertë ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës. Që në fillim, koncesioni i markimit të karburanteve është kundërshtuar ashpër. Fillimisht nga Shoqata e Hidrokarbureve, por më vonë edhe nga opozita, si një aferë e dyshimtë. Skandali i çështjes u thellua kur qeveria mashtroi Autoritetin e Konkurrencës. Ky i fundit, pas ankesës së tregtarëve të karburanteve nisi hetimin e çështjes, por sapo kërkoi informacion, Ministria e Financave ju përgjigj se kontrata është pezulluar.

Dy ditë më vonë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin, i cili pritet të rrisë sërish çmimin e karburanteve për qytetarët për shkak të tarifës që do të marrë monopolisti rreth 6.5 euro për ton ose 10 lekë për litër.

Shoqëria në fjalë është e lidhur direkt me interesa izraelite, pra është kompani e varur nga aksionerë me bazë në Tel Aviv. Procedura e miratimit të koncesionit përkoi në një periudhë kur ambasadori izraelit në Tiranë zhvilloi një tur takimesh me grupet e interesit, duke kulmuar me krijimin e të parës Dhomë Tregtie Shqipëri-Izrael.

Analiza

Me koncesionin e miratuar, qeveria pranon të luajë rolin me dy standarde. Nga njëra anë nuk pranon se ka korrupsion në administratat e fiskut dhe kontrollit, por nga ana tjetër e jep këtë shërbim me koncesion një kompanie private me motivin se “e bën më mirë se shteti”. Rolin që luan dogana dhe IQT do ta ketë kompania private, kundrejt pagesës 6 euro për 1 mijë lira, duke vendosur një pikë boje, si shenjë dalluese se “malli është në rregull”. Vendet e BE-së e aplikojnë një procedurë të tillë, nisur nga fakti se shkalla e akcizës është e diferencuar për nga qëllimi i përdorimit të naftës: ndryshe taksohet nafta për makinat, ndryshe për bujqësinë, për avionët, anijet etj. Duke qenë se akciza është e ndryshme (jo si te ne, e unifikuar 37 lekë litri i naftës), vendet e BE-së aplikojnë formën e markimit të naftës, duke i detyruar kompanitë të vendosin një lloj boje, si formë për të shmangur abuzimet, por edhe në këtë pikë, ndryshe nga sa po miraton qeveria shqiptare, kompanitë në BE e sigurojnë vetë bojën, kundrejt çmimit konkurrues që nuk shkon më shumë se 0.4 cent euro për ton, mjafton të përmbushin standardet e kërkuara me ligj. Për naftën e makinave nuk vendoset bojë, pasi standardi është i njëjtë, mjafton të jetë 10 ppm.

Në Shqipëri do të aplikohet një sistem krejt ndryshe, i ngjashëm si te vendet e botës së tretë. Qeveria do të detyrojë kompanitë importuese dhe prodhuese të naftës në vend të marrin nga e vetmja kompani koncesionare shënjuesin (bojën), kundrejt pagesës 6.5 euro për 1 mijë litra, kjo tarifë, e llogaritur me sasitë e karburanteve të qarkulluara në tregun tonë, pritet të gjenerojë për subjektin monopol të këtij shërbimi më e pakta 150 milionë euro.

Ministria e Financave, autoriteti që po jep koncesionin, e argumenton aplikimin e këtij shërbimi nga privati me motivin e luftës ndaj kontrabandës dhe përmirësimit të cilësisë. Kontrata specifikon shërbimet që do të ofrojë shoqëria “Global Fluids International”, të cilat janë të ngjashme me atë çfarë ofron sot Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe IQT, përmes laboratorëve të blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë prej qindra mijë eurosh. Pra, shteti i ka strukturat, për të cilat ka investuar në staf dhe pajisje, atëherë çfarë nuk shkon që këtë shërbim po ia jep një privati për mbi 10 vjet, i cili nuk do të bëjë asgjë tjetër, veçse do të hedhë një pikë bojë te karburanti në pikat doganore (det dhe tokë) dhe me anë të 6 grupeve do të monitorojë tregun? Sot çdo përzierje për qëllime abuzuese te nafta dallohet lehtësisht nga laboratori modern i doganës apo IQT-së.

Dilema

Kush e kontrollon koncesionin?!

Tjetër dilemë lidhet me autoritetin që do të kontrollojë koncesionarin. Nëse do të jetë dogana dhe IQT, apo ndonjë strukturë e përbashkët, atëherë Ministrisë së Financave i bie qëllimi, pasi nuk mundet që këto institucione “të korruptuara” të kontrollojnë koncesionarin për mënyrën se si po e bën punën.

Dyshime lidhen edhe me bojën, e cila nuk do të ketë formulë aq “sekrete” sa mos të gjendet në ndonjë treg tjetër, ku tregtarët tanë fare lehtë mund ta gjejnë, ose më e keqja ta sigurojnë te koncesionari “kontrabandë”. Pra, shteti shqiptar në pamundësi për të zbatuar ligjin, gjen rrugën më të lehtë për të, por më të shtrenjtë për konsumatorët, pasi kostoja ekstra 150 milionë euro fundja do të paguhet nga vetë ne dhe jo nga tregtarët, të cilët me llogari të thjeshtë e shkarkojnë (1-2 lekë më shtrenjtë litrin). Qeveria nuk forcon ligjin dhe strukturat, por zgjedh koncesionarin me gjoja pretendimin se po mbron cilësinë e naftës, por në fakt, thjesht ka firmosur monopolin e radhës për përfitim personal.

 

VKM nr.200

Është miratuar më 13 mars nga qeveria shqiptare dhe u publikua në Fletoren Zyrtare më 12 prill, duke hyrë në fuqi menjëherë

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.