Hetimi i Lamajt për Frrokun, zbulohet vendimi i vitit 2010

Postuar në 19 Maj, 2013 10:28

 

Vrasja në Belgjikë

Gjykata belge dënoi katër persona për vrasjen e Aleksandër Kurtit

Zbardhet vendimi i gjykatës belge për vrasjen e një emigranti shqiptar në vitin 1999, për të cilën Dritan Lamaj, kryekomisari i vrarë më 24 shkurt të këtij viti, kishte kërkuar informacion nga Interpol-Tirana, pasi dyshonte se dy prej personave të përfshirë në këtë krim, ishin vëllezërit Mark dhe Arben Frroku. Bëhet fjalë për kërkesën e Lamajt të dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që fillimisht u mohua nga krerët e policisë, ndërkohë që vendimi nga gjykata belge është marrë në janar të vitit 2010. Gjithçka lidhet me vrasjen e Aleksandër Kurtit, në dosjen e të cilit përmenden emrat Nardi Frroku dhe vëllai i tij Mark Frroku, por që nuk janë identifikuar ndonjëherë nga drejtësia belge, pasi ata, që pas krimit, ishin arratisur drejt Shqipërisë dhe nuk ishin kthyer më.

Dosja

Ngjarja e rëndë, për të cilën Dritan Lamajt nuk iu dha asnjëherë përgjigje zyrtare, ka ndodhur më 5 mars të vitit 1999 në afërsi të një stacioni treni në Bruksel. Sipas dosjes penale për atë ngjarje, pesë persona kanë vrarë pas një sulmi të paramenduar me thika Aleksandër Kurtin, emigrant shqiptar, i cili merrej në Belgjikë me kalimin e paligjshëm të shqiptarëve drejt Londrës. Sipas të dhënave, gjatë qëndrimit në Bruksel, ai ishte takuar me një femër shqiptare, e cila punonte si prostitutë në këtë qytet. Por, me të ishte njohur që në Shqipëri, kështu që e kishte kërcënuar se do t’u tregonte prindërve të saj me çfarë merrej ajo në Belgjikë. Në këto kushte, ajo ishte ankuar te tutori i saj, i cili është identifikuar pjesërisht nga policia belge si Nardi Frroku. Ky i fundit dyshohet se kishte organizuar vrasjen e Kurtit, ku mendohet se kanë marrë pjesë pesë persona, të identifikuar si Besnik Vuka, Hilë Morina, Lek Bib Xhafa, Alfred Kola dhe Mark Frroku. Në dosjen penale thuhet se kjo është dëshmuar nga dëshmitari okular, Nikolin Kurti, dhe dy dëshmitarë të tjerë anonimë. Menjëherë pas vrasjes, policia arrestoi katër persona, por vëllezërit Kurti arritën të largohen për në Shqipëri.

Vendimi

Pas shumë vitesh hetime, policia nuk arriti të identifikojë plotësisht dy vëllezërit, të cilët nuk u kthyen më në Bruksel, por për mungesë provash u lirua edhe një prej të arrestuarve, pikërisht Alfred Kola, i cili mendohet se kishte ndihmuar dy vëllezërit shqiptarë që të arratiseshin. Pas një odiseje të gjatë gjykimi, më 15 janar 2010, Gjykata e Brukselit vendosi dënimin me 15 vjet burg për Morinën, ndërkohë që katër të tjerë, dy të arrestuar dhe dy në kërkim u dënuan me nga dhjetë vite burg. Sipas vendimit të gjykatës, gjithçka është planifikuar nga Nardi Frroku, ndërkohë që nuk ka të dhëna të plota për identifikimin e tij dhe për këtë arsye nuk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Dritan Lamaj

Por, kryekomisari Dritan Lamaj ishte vënë në dijeni nga informacionet operative për këtë ngjarje dhe në bazë të të dhënave të mbledhura, kishte kërkuar informacion për vëllezërit Mark dhe Arben Frroku. Gazeta “Shqip” vetëm pak ditë pas vrasjes, pikërisht më 1 mars të këtij viti publikoi shkresat e Lamajt, ku ai ngrinte dyshimet se vëllezërit Frroku, ishin pikërisht të kërkuarit nga drejtësia belge, por që atje ishin regjistruar me emra kosovarë. “Ata u janë prezantuar autoriteteve belge si shtetas nga Kosova, ku Arben Frroku dyshohet se është prezantuar me emrin Liman Krasniqi, ndërkohë që vëllai i tij është prezantuar me emrin Azem Krasniqi. Në vitet e lartpërmendura, këta persona dyshohet të kenë kryer një vrasje në Bruksel dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet e Belgjikës me emrat e shtetasve nga Kosova, përkatësisht Liman Krasniqi dhe Azem Krasniqi”, thuhej në materialin e mbledhur nga ish-shefi i Komisariatit Nr. 6. Aktualisht, i dyshuari kryesor për vrasjen e Lamajt mbetet Arben Frroku, i cili është arrestuar në Selanik dhe është në pritje të vendimit për ekstradimin e tij, ndërkohë që grupi hetimor, i drejtuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda vazhdon punën për dokumentimin e plotë të këtij krimi të rëndë.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.