Koalicioni i majtë, niset treni me 40 vagonë

Postuar në 20 Maj, 2013 03:13

 

Menjëherë pas përshëndetjeve të Agollit dhe Meidanit kanë folur para Konventës së PS-së krerët e koalicionit të majtë. Krerët e 40 partive të "Aleancës për Shqipërinë Europiane" hipën në podiumin e Pallatit të Kongreseve për të bërë thirrje për të votuar më 23 qershor për rilindjen e Shqipërisë nën një qeverisje me në krye kreun e PS-së, Edi Rama. Hapja e konventës dyditore nisi me prezantimin e krerëve të 40 partive aleate, të cilat me në krye PS-në e drejtuar nga Edi Rama përbëjnë koalicionin më të madh parazgjedhor që ka pasur ndonjëherë e majta. 

Gjinushi u ndal tek nevoja e bashkëpunimit të opozitës brenda koalicionit. ”Opozita e bashkuar ka një mision historik për realizimi kërkon një bashkëpunim real deri në fund të fushatës dhe do një taktikë të zgjuar elektorale, për të përfituar nga tekat e sistemit, sepse së bashku duhet të realizojmë përmbylljen me fitore në çdo qark. Për të optimizuar mbështetjen, jo ta pësojmë si në 2009. Çdo votë për aleancën nuk është votë dëm. Gara është e thjeshtë për ata që duan të mbështesin. Treni me 36 vagona ku kryeson PS. Me trenin me qymyr të Saliut që shkon drejt të shkuarës me ne që shkojmë drejt së ardhmes. Votuesit nuk duhet të ngatërrojnë trenin, por të zgjedhin vagonin”, tha kreu i PSD-së

"Është festë për ne politkanët, të gjenerojmë ide të reja dhe përmirësojmë ekzistueset. Në takimet tona me dhjetëra, qindra, mijëra qytetarë është e qartë se fitorja është e sigurt, është plebishitare. Kjo është dëshira dhe sfida jonë, që padurimin e qytetarëve për rotacionin t’ua sjellim afër”, është shprehur Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së. Ndërsa kreu i PDS-së Paskal Milo deklaroi se konventa ”është një manifestim i vullnetit të përbashkët politik për t’i dhënë Shqipërisë një ndryshim, rrënjësor shumë të mirëpritur. Ne jemi këtu ti dëshmojnë shqiptarëve se jemi në një fron dhe ëndrrat e tyre ditën e 24 qershorit do të të gjejnë realizim të plotë”. Aleati më i ri i PS-së, Zef Bushati u shpreh: “Partia e Aleancës Demokristiane është parti e vlerave europiane, koalicioni për ëndrrën e Shqipërisë europiane. Shpresoj që, ky koalicion këtë ëndërr do ta bëjë realitet me në krye Edi Ramën”.  Ndërkaq, ka përshëndetur edhe kreu i Aleancës Popullore. “Do të na keni në krah sa herë do thirren në apel interesat e vendit me vullnet të qartë dhe dinjitoz në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar. Kemi vënë zemrën tonë, mundësitë tonë në shërbim të një kauzë që është amaneti i shenjtë i të parëve tanë. Cështja came është në qendër të vëmendjes të Alancës për Shqipërinë evropiane”, tha Artur Dojaka

Opinion Spartak Ngjela

Beteja për të shpëtuar vendin

“Më lejoni të nderuar socialistë, liderë dhe anëtarë të thjeshtë t’ju falënderoj, që në këtë rrafsh 20-vjeçar keni marrë 2 beteja të mëdha për të shpëtuar Shqipërinë nga një katastrofë; një në 92-96, 2009-2013. Dhëntë Zoti që të jetë beteja e fundit për ta shpëtuar këtë vend nga urrejtja dhe marrëzia totalitare. Kryeministri fyen popullin duke i thënë jeni të pasur, të lumtur, keni rrugë. Ne s’kemi shtet, ai na thotë që kemi rrugë. Të rinjtë nuk keni asnjë garanci për të ardhmen, s’keni strehën tuaj, siç tha emigrant që s’keni garanci për të jetuar në shtetin tuaj, sepse nuk keni shtet. Nuk duhen përsëritur gabimet e së kaluarës. Duhet të garantojmë shtetin, sepse jemi të humbur që nga hamalli deri te presidenti.”- tha Spartak Ngjela, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi. 

40

Rama i ka ftuar 40 kryetarët e koalicionit në skenë duke u shprehur: "Ftoj aleatët tanë që të vinë këtu me mua, sepse siç tha profesor Skënderi, ne kemi një tren të gjatë drejt fitores. Ky është treni. Qytetarët të zgjedhin vagonin e duhur. E rëndësishme është të mos e ngatërrojnë me trenin e mallrave që shkon drejt humnerës. Dhe le të shkojë, se për ty është nisur, por s’kanë pse marrin shqiptarë me vete. Qytetarët e kanë të qartë; ose në trenin me qytetarë drejt Europës, ose me trenin e mallrave drejt humnerës. Pa dyshim që treni ynë do shkojë drejt Europës”

Ilir Meta: Bashkimi ynë nuk është kalkulim numrash 

“Shqipëria që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, nuk mund t’ia lejojë vetes që të jetë vendi i vetëm në Evropë që shkon në zgjedhje me gjysmë KQZ-je”, është shprehur dje meta duke nënvizuar kështu problemin më të rëndësishëm për momentin, për tu zgjidhur. “Është përgjegjësia jonë, është misioni ynë ta mbyllim përfundimisht këtë kapitull dhe të nisim më 23 qershor, me fitoren plebishitare në zgjedhje, me një ritën tjetër, me një vizion tjetër dhe me një angazhim e përgjegjshmëri rrugëtim e pandalshëm drejt Evropës së bashkuar”, tha kreu i LSI-së. Më tej Ilir Meta, deklaroi se “Bashkimi i së majtës është një aksion politik për forca politike europiane dhe për misionarë të së nesërmes europiane. Edhe pak javë na ndajnë nga fitorja historike dhe plebishitare e 23 qershorit.” Çdo gjë ishte një detyrim ndaj qytetarëve që donin ndryshimin, tha Meta. “Më 23 qershor shoqëria jonë është përpara sfidës së madhe për të dëshmuar zgjuarsinë dhe pjekurinë, forcën dhe vendosmërinë, për të realizuar më në fund ndryshimin e madh, për të bërë rrotacionin e domosdoshëm, që do t’i çelë rrugën e pandalshme Shqipërisë së vlerave të vërteta evropiane”, deklaroi kreu i LSI-së. Duke folur për aleancën ai tha se “Bashkimi ynë është reflektim i përgjegjshëm dhe në koherencë të plotë me interesin publik të shoqërisë sonë dhe të çdo qytetari shqiptar. Ky koalicion nuk është një kalkulim numrash por është një detyrë dhe përmbushje e përgjegjësisë historike që buron prej dëshirës dhe vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë t’i japin fund tranzicionit por edhe që presin ndryshime thelbësore pikë së pari në jetën e tyre sociale dhe ekonomike”.  

"Dua të dërgoj përshëndetjet më të mira mikut tim Edi Rama dhe të gjithë socialistëve shqiptarë. Unë e di që ju jeni duke përballur me një sfidë të rëndësishme, siç janë zgjedhjet. Ju uroj shumë sukses!"

Viktor Ponta, Kryeministër i Rumanisë

"Shqipëria meriton një qeveri më të mirë, Shqipëria meriton që të ketë një njohje të fortë nga Bashkimi Europian, si një vend i cili është në rrugën e duhur drejt reformave demokratike."

Hannesd Swoboda/ Kryetar i Grupit SD në PE 

"Programi juaj flet për drejtësi sociale, për reforma të ndershme ekonomike, si dhe për të ardhmen europiane të vendit tuaj. Kjo është rruga e duhur për të ecur përpara. Dhe, është pikërisht kjo pse Edi Rama duhet të bëhet Kryeministri i Shqipërisë"

Sigmar Gabriel/ Kryetar i PSD Gjermane

“Të heqim mendësinë që, politika bën pasuri për vete dhe jo shtet për të gjithë. I kërkoj Ramës të japë modelin se politika bën shtet dhe jo pasuri për vete. Jam i sigurt që beteja e socialistëve të bashkuar do jetë; luftë për dmeokraci dhe luftë për shtet. Baza e fitores është bashkimi I të gjithë socialistëve rreth kryeministrit të ri Edi Ramës. 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.