Meta lë të hapur debatin për kryeministrin, Rama: E vendos vota

Kryetari i PS dhe ai i LSI nuk kanë shuar dje jehonën e debatit mbi emrin e kryeministrit, nëse e majta fiton zgjedhjet. Berisha: Meta iku që të marrë ose kreun e PS, ose karrigen time. Ironizojnë Olldashi e Pollo: Gallatë e madhe! E majta, si gjysmagjelat e përrallës
Daljet publike të Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk e kanë shuar jehonën e thirrjes së Nasip Naços në Berat për të votuar kreun e LSI-së si kryeministër të ardhshëm. Dy aleatët ish-rivalë kanë përdorur dje fjalën ‘diversion’, por nuk kanë munduar të vënë pikat mbi i, sa i përket pyetjes: kush do të jetë kryeministër, nëse e majta fiton zgjedhjet e 23 qershorit? Rama la dje të kuptohet se është ai lideri i së majtës dhe në këtë pikë, nuk ka rivalitet me Metën. “Emri i kryeministrit do të zgjidhet bazuar në Kushtetutë dhe në vullnetin e popullit’, – tha dje ai, duke e cilësuar fjali të thënë mes entuziazmit të fushatës atë të Naços në Berat. “Aleanca është kompakte, PS është në sintoni dhe sinkronizim me LSI dhe aleatët e tjerë”, – tha Rama, duke shtuar më pas batutën se në këtë pikë, kryeministri Berisha peshkon në tokë të thatë. Nga ana e tij, edhe Ilir Meta u “distancua” nga Nasip Naço. Por ai la të hapur ambicien e tij për t’u rikthyer në Kryeministri. “Koalicioni i majtë ka një objektiv të vetëm, që është fitorja plebishitare dhe është në sintoni të plotë. Të tjerat janë deklarata dhe dëshira të individëve të caktuar”, – tha ai gjatë një deklarate për mediat. Megjithatë, Meta flet edhe me heshtjen kur vjen puna tek ndarja e postit të kryeministrit mes tij dhe Ramës. Që prej aleancës së 1 prillit, kryetarit të LSI-së nuk i ka shpëtuar asnjëherë goja se do të jetë Rama njeriu që do të drejtojë ekzekutivin. Ndërsa dje ka zgjedhur mirë fjalët, për t’i dhënë përgjigje dilemës së hapur nga një prej njerëzve të tij më të afërt. “Me PS kemi rënë dakord që doktori të mos jetë më kryeministër”, – tha Meta, duke ia pasuar ditëve pas 23 qershorit çështjen e kryeministrit të së majtës. Ndërkohë, projektimi i Ilir Metës si lider i së majtës është ushqyer edhe dje në mitingun entuziast që LSI zhvilloi në qytetin e Fierit. Edhe pse çështja e kryeministrit nuk u përmend më, kandidati për deputet, Petrit Vasili tha se: LSI dhe Ilir Meta janë fituesit e 23 qershorit! Kjo situatë rivaliteti në krahun e majtë ka çuar oksigjen në kampin e Berishës, që nuk ka ndenjur pa thumbuar si Ramën, ashtu edhe Metën gjatë një konference me gazetarë, të zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës. “Ilir Meta qëndroi 4 vjet si zv/kryeministër e ministër dhe iku me qëllimin e vetëm që, ose që të marrë kreun e PS, ose karrigen time, që s’do e marrë kurrë”, – tha kryeministri. Edhe pse deklarata e tij është quajtur diversion, si nga Rama ashtu edhe nga Meta, çështja e kryeministrit mbetet e hapur në kampin e majtë. Kjo situatë e krijuar në fushatën me dy korsi të së majtës, është komentuar me humor nga dy ministrat e kabinetit Berisha, Sokol Olldashi dhe Genc Pollo. Të dy ata kanë vendosur mbrëmë statuse në Facebook sa i përket rivalitetit mes Ramës dhe Metës. “Gallatë e madhe. Rama dhe Meta kanë filluar të zihen se kush do të jetë kryeministër. Përgjigja është shumë e thjeshtë. As Rama, as Meta. Kryeministër do të jetë Berisha”, – shkruante mbrëmë Olldashi në Facebook. Ndërsa Pollo i ka krahasuar ata me ‘gjysmagjelat’ e përrallës. “PD, e qartë se çfarë qeverie do të ketë. Socialistët duket se janë të paqartë edhe për dy gjysmë-qeveri. E majta, si dy gjysmagjelat e përrallës”, -ironizonte mbrëmë Pollo.
Pollo
PD, e qartë se çfarë qeverie do të ketë. Socialistët duket se janë të paqartë edhe për dy gjysmë-qeveri. E majta, si dy gjysmagjelat e përrallës
Olldashi
Gallatë e madhe. Rama dhe Meta kanë filluar të zihen se kush do të jetë kryeministër. Përgjigja është shumë e thjeshtë. As Rama, as Meta. Kryeministër do të jetë Berisha
Neni 96 i Kushtetutës
Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
LSI miting në Fier, Vasili: Meta, fitues i 23 qershorit
Lëvizja Socialiste për Integrim prezanton kandidatët në Fier. Meta: Do të largojmë doktorin në botën e çudirave
Lëvizja Socialiste për Integrim hapi dje fushatën në Fier, duke bërë thirrje që qytetarët t’i japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta tha se fierakët duan një lidership që t’i udhëheqë drejt integrimit dhe jo izolimit. “Më 23 qershor, Feri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do t’i japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave, sepse fierakët dhe shqiptarët duan një lidership që nuk shikon përralla, por që e shikon realitetin në sy, për të ecur më shpejt në rrugën e mirëqenies”, – tha Meta. Ai premtoi në Fier se LSI është forca që siguron rotacionin e sigurt më 23 qershor. “Ne sot jemi më shumë dhe më të bashkuar sepse LSI është siguri për rrotacionin e sigurt të 23 qershorit. Ne nuk mbjellim urrejtje, ne ngremë ura bashkëpunimi mes shqiptarëve. Kemi vizion dhe energji të çlirojmë potencialet e fjetura, të ecim drejt një modeli ekonomik që sjell punësim, nxit investimet vendase dhe të huaja”, tha Meta, duke përsëritur besimin se koalicioni i majtë do të fitojë 80 mandate më 23 qershor. Kreu i LSI-së përmendi dje edhe zonën e Libofshës, ku kandidon Dritan Prifti, duke kërkuar nga banorët e kësaj zone që t’u kundërvihen presioneve për votën e lirë. Më parë e mori fjalën kandidati për deputet në Fier, Petrit Vasili, i cili e vuri theksin tek forca e LSI-së dhe e liderit të saj, Ilir Meta. “Kjo forcë ka një fuqi, ka një gjë që nuk e kanë as të tjerët, kjo forcë politike ka atë njeri që di të jetë burri i madh shteti dhe e çon Shqipërinë përpara, dhe di që të jetë njeriu që qan hallin e thjeshtë, njeriu i thjeshtë, dhe ky quhet Ilir Meta. LSI dhe Ilir Meta janë fituesit e 23 qershorit”, – tha Vasili. Lëvizja Socialiste për Integrim po organizon prej ditësh një fushatë të ndarë nga Partia Socialiste, edhe pse Rama e Meta qëndruan për një kohë të gjatë përkrah njëri-tjetrit në Konventën e PS
MAPO
Add new comment