FRD-ja e Topit pritet të dëmtojë PD-në në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Vendi - Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FRD-ja, kjo parti numëron gjithsej mbi 100 mijë anëtarë në të gjithë vendin, ndërsa pretendon se votues do ketë rreth 150 mijë.
Tirana - Vetëm në Qarkun e Tiranës, FRD-ja pretendon se ka gjithsej mbi 37 mijë vota, që e përkthyer në mandate nga krerët e FRD-së, do të thotë 2-3 deputetë në kryeqytet
Pretendimet - FRD-ja pretendon që në Kuvendin e ardhshëm të ketë grupin e saj parlamentar, i cili sipas zyrtarëve të saj, do të përbëhet nga të paktën shtatë deputetë.
Analiza
Të dhënat shifrore të zgjedhjeve të vitit 2009 bazuar edhe në pritshmëritë e Frymës së Re Demokratike
Herion Mesi
Një aktor politik që gjatë kohëve të fundit duket konstant edhe pse ka një dizavantazh nga mbulimi mediatik është padyshim, Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi. Në takimet që zhvillohen në të gjitha qytetet e vendit, duket se ka një rritje konstante mbështetjeje për FRD-në, e cila gjithsesi do të ketë rol në konfigurimin përfundimtar të Parlamentit të ardhshëm. Po cili do të jetë ky rol? Sipas një analize të bërë nga rezultatet e vitit 2009 dhe pritshmërive të partisë së drejtuar nga Topi, “Shqip” ka analizuar një tendencë elektorale. Deri tani, FRD-ja në optikën e alternativave politike, po shihet nga specialistët si një fenomen politik, por që nga ana tjetër, ajo është ende e paprovuar në terrenin politik, ku mbetet për t’u parë nëse FRD-ja është një investim për qytetarët, apo është një riinvestim i së djathtës, që bëhet për të maksimalizuar një faktorizim të së djathtës në këtë garë.
Tirana
Në pritshmëritë elektorale, FRD-ja pritet të ketë ndikim në rezultate në 6 nga 12 qarqet e vendit. Konkretisht, duke analizuar shifrat e zgjedhjeve të 2009-s, në Tiranë, koalicionit të majtë i duhet të rikuperojë vetëm 784 vota për të siguruar mandatin e 17-të, për të përmbysur balancat e katër viteve më parë ku mandatet u ndanë në mënyrë të barabartë, 16 me 16. Dhe 784 votat janë krejtësisht të mundshme për t’u siguruar, pasi në 2009-n LSI-ja dhe PS-ja garonin më vete. Por, duke parë ambicien e FRD-së, e cila, sipas ekspertit zgjedhor të saj Ervin Karamuça, pretendon të marrë të paktën dy mandate në Tiranë, këtë pretendim duhet ta modelojmë pasi FRD nuk ka pasur një përvojë zgjedhore ngaqë është parti vetëm 1 vjeçare. Garanci për këtë ambicie është fakti se në kryeqytet, FRD-ja konkurron me kryetarin e saj, ish-presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili njihet si makineri votash, pasi ka arritur të sigurojë vota më shumë sesa vetë PD-ja, në garat elektorale ku ai është caktuar si kandidat për deputet në tri palë zgjedhje: 1996, 2001, 2005. Pra efekti “Topi” do të bënte që shifrat 17 me 15 në favor të së majtës mund të ndryshojnë sërish. Pavarësisht pretendimeve, nëse FRD-ja arrin të sigurojë vetëm një mandat në këto zgjedhje, atëherë rezultati për Qarkun e Tiranës do jetë 17 mandate për koalicionin që drejtohet nga Rama, 14 mandate për koalicionin që drejtohet nga Berisha dhe 1 mandat FRD-ja.
Elbasan
Edhe në Elbasan është thuajse e njëjta situatë me kryeqytetin, ku sipas shifrave të 2009-s, koalicionit të Ramës i duhet të marrë vetëm 320 vota më shumë, për të siguruar mandatin e 8-të, gjë që do ndryshonte ndarjen e mandateve në favor të saj, ku nga 7 me 7 që ishte, do të shkonte 8 me 6 më 23 qershor. Nga ana e saj, FRD-ja pretendon të marrë të paktën 1 mandat në Elbasan. Por, edhe nëse nuk ia del dot, FRD-ja ka shumë gjasa të ndikojë në rezultat duke ia bërë më të lehtë punën koalicionit të majtë, pasi mund t’ia heqë një mandat koalicionit të djathtë me votat e saj.
Durrës
Në Durrës, gara duket interesante, pasi i krijon shumë hapësira FRD-së që të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në këtë qark. Të majtës i duhet shumë punë për të marrë mandatin e 7-të në Durrës, pasi e ka të domosdoshme të rikuperojë rezultatin e zgjedhjeve të 2009-s, praktikisht të sigurojë të paktën 3500 vota më shumë nga ç’mori në zgjedhjet e kaluara. Në këtë qark, FRD-ja prezantohet me dy figura të rëndësishme në zgjedhjet e kaluara, si Gazmend Oketa, i cili gëzon dhe simpatinë e elektoratit e djathtë të Bashkisë së Durrësit. Ndërsa sa u përket rrethinave të Durrësit, FRD-ja prezantohet para elektoratit me kandidatin e saj, Sami Gjergji, i cili njihet për influencat e tij në zonën e Sukthit dhe Shijakut. Nisur nga ky përfaqësim i FRD-së, koalicioni i djathtë rrezikon të dëmtohet duke humbur një mandat tjetër, gjë që do bënte të mundur që rezultati të jetë 6 mandate të majta, 6 të djathta dhe të paktën 1 mandat FRD-ja.
Të tjerët
Ndërsa sa u përket objektivave elektoralë të FRD-së në qarqet e tjera të vendit, eksperti zgjedhor, Karamuça, theksoi dje për “Shqipin” se kjo parti pretendon të marrë të paktën nga një mandat në Qarkun e Dibrës, Shkodrës dhe Fierit. Por edhe nëse FRD-ja e arrin objektivin e saj, duket se koalicioni i majtë mund të përfitojë vetëm nga dëmtimi i së djathtës, pikërisht nga këto vota të djathta që do mund të mbledhin kandidatët e FRD-së në këto qarqe.
Detaje
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Deputetët - Tre janë ish-deputetët e Partisë Demokratike, që tashmë garojnë me logon e FRD-së në zgjedhjet e 23 qershorit: Bamir Topi, Gazmend Oketa dhe Sali Shehu.
Qarqet - Gjashtë janë qarqet, në të cilat FRD-ja synon që të fitojë mandate. Bëhet fjalë për Qarkun e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Elbasanit, Shkodrës dhe Fierit.
Slogani - FRD-ja ka publikuar dje dhe sloganin e saj që do të ketë gjatë fushatës elektorale që do çelet më 23 qershor. “Fund tranzicionit, për shtetin dhe qytetarët”
Akuzat - Fryma e Re Demokratike akuzoi dje partitë e dy koalicioneve më të mëdha për shkelje të ligjit elektoral, pasi sipas saj, këto e kanë nisur para afatit fushatën.
Njëvjetori - Pak ditë më parë, Fryma e Re Demokratike festoi njëvjetorin e krijimit të saj si forcë politike e spektrit të djathtë.
Listat e zgjedhësve
Karamuça: Janë mbi 100 mijë dublime dhe mbi 250 mijë persona pa adresë
Fryma e Re Demokratike denoncon problemet e hasura në evidentimin e listave të zgjedhësve që do marrin pjesë në votimet e 23 qershorit. Sipas ekspertit të çështjeve zgjedhore në FRD, Ervin Karamuça, në këto lista ka mbi 100 mijë dublikime, si dhe FRD-ja ka konstatuar se janë mbi 250 mijë persona pa adresë të saktë. “Në listat e zgjedhësve kemi konstatuar probleme të mëdha me dublikimet dhe evidentimin e personave pa adresë dhe emigrantët. Sipas konstatimeve tona të grupeve të punës në terren na rezulton se janë mbi 100 mijë dublime në listat e zgjedhësve, ndërsa sa u përket personave pa adresë dhe emigrantëve janë mbi 250 mijë persona ende të paevidentuar. Një tjetër problem thelbësor për ne është frika nga deformimi i votës, pasi përveçse ne nuk përfaqësohemi në grupet e numërimit, problem shumë i rëndë është edhe ngërçi i KQZ-së. Pasi edhe nëse ne konstatojmë probleme, ne nuk do mundemi dot që të ushtrojmë të drejtën e ankimimit, pasi kërkesa e ankimimit vetëm për t’u pranuar nga KQZ-ja kërkon 5 vota, gjë që nuk janë”- theksoi dje për “Shqipin”, Ervin Karamuça. Ndër të tjera, eksperti i FRD-së për zgjedhjet, theksoi gjithashtu, se po ushtrohen presione të shumta ndaj simpatizantëve që janë nëpunës të shtetit.
“Punonjësit që mbështesin FRD-në, kanë frikën e shkarkimit të tyre nga puna. Partia në pushtet ushtron po kërcënon me mbyllje të aktiviteteve të biznesit, na fotografojnë elektoratin në tubimet që ne organizojmë, e deri te presioni me helikopter te shtëpia e kryetarit të FRD-së, Bamir Topi”, theksoi dje Karamuça.
SHQIP
Add new comment