Shkarkohen punonjësit që nuk pranuan të marrin teserat e PD-së

Postuar në 23 Maj, 2013 09:15

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Mësuesit - Opozita ka denoncuar se qeveria po detyron mësuesit të marrin pjesë në mitingje dhe të deklarojnë votën

Drejtoritë - Disa prej drejtorive lokale në varësi të dikastereve kanë pasur raste të denoncimit të presioneve politike

Vendorët - Nga palët ka pasur akuza mbi përdorimin e administratës vendore në bashki dhe komuna në fushatë

Diplomatët - Për herë të parë në këtë fushatë elektorale janë përfshirë edhe pjesë e trupit diplomatik të depolitizuar 

Administrata

Mazhoranca nis fshesën në “Albpetrol”, nuk ripërtërihen kontratat e “rebelëve”. Shkelet Kodi i Punës 

Fatjona Mejdini

Mazhoranca bën presion të hapur jo vetëm ndaj nëpunësve të administratës publike, por edhe ndaj të punësuarve në ndërmarrjet që janë pronë shtetërore, por që kanë skemë funksionimi kontratat ligjore sipas Kodit të Punës. Konkretisht, strukturat e Partisë Demokratike po largojnë në mënyrë flagrante punonjësit të cilët nuk kanë pranuar të marrin teserën blu, e cila përbën edhe një mundësi e fortë për të siguruar jo thjesht votën e të punësuarve por edhe atë të rrethit familjar. Shembulli më flagrant është një nga ndërmarrjet më të mëdha publike në vend, siç është “Albpetrol”-i. Burime nga kjo ndërmarrje i bënë të ditur “Shqip” se prej dy ditësh në kompaninë shtetërore të naftës, me rreth 3500 punonjës, janë hartuar listat e “rebelëve”, të cilët kanë refuzuar të marrin teserën e PD-së në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Madje të gjithë këtyre punonjësve u është komunikuar se si rezultat i kësaj mosbindje, kontratat e tyre individuale të lidhura me kompaninë, në 1 qershorin e vitit të shkuar, nuk do të përtërihen më dhe për pasojë mund të konsiderohen “de facto” të shkarkuar. Duket se lutjet e punonjësve “për dhënien e një shansi të dytë” nuk kanë funksionuar dhe se administrata është e vendosur për të zbatuar premtimin e tre muajve të shkuar, kur nisi fushatën për pajisjen me karta anëtarësimi për të gjithë punonjësit e “Albpetrol”-it. Kjo nuk është hera e parë që ndërmarrja kryesore e naftës në vend bie pre e kërcënimeve politike në shkëmbim të mbajtjes së vendit të punës, ashtu siç ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në këtë kompani shtetërore. Politizimi i administratës shtetërore dhe përdorimi i saj në fushata zgjedhore mbi bazën e presionit vijon të mbetet problem i mprehtë dhe shqetësues jo vetëm për qytetarët, por dhe për ndërkombëtarët të cilët kanë detyrën e monitorimit dhe vlerësimit të zgjedhjeve shqiptare.

Kontratat

Shkarkimi i punonjësve të “Albpetrol”-it për arsye politike duket se bëhet i lehtë për drejtuesit e kompanisë, nisur nga kontratat individuale dhe jo kolektive me të cilat këta punonjës janë pajisur. Më parë, kontrata kolektive për ta duket se krijonte njëfarë mbrojtje nga sulmet politike, por një vit më parë kjo lloj kontrate u shfuqizua, duke u kthyer në individuale për secilin nga punonjësit. Duket se koha e zgjedhur për ripërtëritjen e kësaj kontrate nuk ka qenë e rastësishme dhe është vendosur pikërisht 1 qershori, 22 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Një afat i tillë delikat për ripërtëritjen e kësaj kontrate individuale, duket se është vendosur për ta pasur më të lehtë presionin ndaj punonjësve përpara zgjedhjeve parlamentare.

Situata

Projekti i drejtuesve të “Albpetrol”-it për të arritur anëtarësimin me 100% të punonjësve të kësaj ndërmarrje në Partinë Demokratike, ka nisur në mars të këtij viti. Gazeta “Shqip” ka denoncuar në një artikull të saj kërkesën e drejtuesve ndaj rreth 3500 punëtorëve për të marrë kartën e anëtarësimit të PD-së sepse përndryshe, marrëdhëniet e tyre të punës me këtë kompani do të ndërpriteshin. Tashmë kur kanë kaluar më shumë se dy muaj e gjysmë nga dhënia e kësaj direktive është parë se rreth 10% e punonjësve kanë refuzuar të aplikojnë për marrjen e kësaj karte. Kjo ka sjellë dhe zemërimin e drejtuesve të “Albpetrol”-it, të cilët pas identifikimit të punonjësve ende pa teserë, u kanë komunikuar atyre njoftimin se më 1 qershor kontrata e tyre e punës pranë kësaj kompanie nuk do të përtërihej më. Burimet bëjnë të ditur se drejtuesit e kësaj ndërmarrje kanë qenë të prerë në shkarkimin e këtyre punonjësve, pa ju dhënë ndonjërit prej tyre as shansin që të aplikonin këto ditë të mbetura për teserën e PD-së.

 

 

 

Rekrutimet - Shkarkimi i punonjësve pa kartë anëtarësimi në PD, pritet t’i hapë rrugën rekrutimeve të reja në këtë ndërmarrje, vetëm 20 ditë përpara zgjedhjeve. Kjo bëhet për të rritur mbështetësit e PD-së në zgjedhje, në këmbim të vendit të punës. 

Mitingjet - Në Qarkun e Fierit, ashtu si dhe në 11 të tjerët në vend, PD vijon metodën e detyrimit të punonjësve të administratës për të dalë në takimet elektorale të cilat tani në fushatë zgjedhore bëhen dhe më të shpeshta.

 

Pasojat e abuzimeve 

Kompania më e madhe e naftës në vend vazhdon me humbje

Shoqëria “Albpetrol” është shfrytëzuar shumë herë nga qeveri të ndryshme për qëllime fushatash. Kompania, dikur me mbi 25 mijë punonjës, u përfshi nga një reformë e thellë në vitet ‘98-‘99, ndërsa sot ajo regjistron rreth 3500 punonjës. Në 8 vitet e fundit, numri i saktë i naftëtarëve nuk ka qenë stabël, pasi rritej në kohë fushatash dhe ulej më pas.

Dhënia e puseve të naftës nën menaxhimin e shoqërive private solli një tjetër goditje për punonjësit, ndërsa privatizimi u paralajmërua me shkarkime masive të afro 2 mijë punonjësve.

Problemi qëndron në faktin e drejtimit politik të shoqërisë, që ashtu si dikur ARMO, konsideroheshin nga qeveritë si hambar votash. Kjo i ka shkaktuar kompanisë mungesë rezultatesh pozitive financiare, ku jo pak herë naftëtarëve u vonoheshin pagat deri në pesë muaj. Informacionet e ndryshme nga terreni i burimeve naftëmbajtëse tregojnë se borderotë e rrogave firmoseshin nga individë që nuk vinin në punë, madje kishte nga ata që ishin emigrantë dhe u kalonte paga përmes bankës. Gjendja financiare u vështirësua, me detyrime të akumuluara në disa milionë dollarë. Megjithatë, me dyshim është parë edhe rruga se ku shkojnë paratë. Shoqëria shpeshherë realizon ankande për shitjen e naftës, ku madje në të fundit arkëtoi rreth 50 milionë dollarë dhe sërish “Albpetrol” raporton humbje.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.