Komisioni i Venecias: KQZ nuk mund të funksionojë me 4 anëtarë. Dyshime se mund të ndryshojnë rregullat

Postuar në 23 Maj, 2013 14:56

Komisioni i Venecias shprehet se situata e krijuar në KQZ është shumë delikate. Konrad Olshevski, eksperti i Komisionit të Venecias që po asiston KQZ-në për zgjedhjet, thotë se e paplotë siç është, KQZ-ja s’do jetë në gjendje të japë direktivat e duhura për 23 qershorin.

“Situata është delikate sepse komisioni po punon me 4 nga 7 anëtarët. Kjo sigurisht përbën një sfidë të madhe për mbajtjen e zgjedhjeve. Së pari, sepse vendimet nuk diskutohen mjaftueshëm siç kërkon kodi. Po ka dhe problem teknike sepse duhen miratuar aktet normative që kërkojnë 5 anëtarë të KQZ-së. Nëse situata vazhdon kështu, KQZ s’do jetë në gjendje të japë direktivat e duhura për zgjedhjet”, tha Olshevski për “AS”.

“Gjithmonë është koha e përshtatshme për të rikthyer kompozimin e plotë të KQZ-së. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë. A mundet KQZ të mbajë zgjedhje me anëtarët e mbetur? Të presim e të shohim. Gjatë zgjedhjeve në çdo vend ka gjithmonë zhvillime surprizë dhe që kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe të menduara mirë”, vijoi ai.

Sipas Olshevskit, nëse situata vazhdon kështu, mund të dalin disa probleme, duke nisur që nga fakti nëse 4 anëtarët e mbetur të KQZ-së do të veprojnë sipas ligjit.

“Deri tani po punohet mirë. Por mungesa sjell 2 probleme për mendimin tim. Ligjore, sepse duhet të shohim nëse 4 anëtarët do të jenë në gjendje të drejtojnë zgjedhjet në përputhje me ligjin, pa ndryshuar rregullat. Edhe projekti pilot i kontrollit elektronik të kartave të identitetit kërkon 5 vota. Me formacionin e mbetur do të jetë e pamundur të miratojnë këtë akt normativ. Por, ka edhe probleme në aspektin politik, sepse duhet konsensusi i të dy palëve,” shprehet ai./b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.