Betimi i Ramës në Vlorë: Nuk do i tradhtoj kurrë qytetarët e këtij vendi

Kryesocilisti Edi Rama ka qenë gjatë ditës në Vlorë, qark në të cilin ai udhëheq listën e kandidatëve për deputet. Duke folur para banorëve të zonës së Lumit në Vlorë, Rama është betuar se nuk do të tradhtojë kurrë qytetarët e Vlorës dhe vendit, duke mbajtur premtimet që ka dhënë gjatë fushatës.
“Në gjithë këtë hapësirë të mrekullueshme bukurish dhe pasurish, ne do të ndërtojmë mirëqenie dhe do t’u japim emigrantëve mundësnë të vijnë dhe të ndërtojnë pasurinë dhe të ardhmen e tyre në tokën e të parëve. Çdo prind në 23 qershor duhet në radhë të parë të votojë si prind që nuk e pranon analfabetizmin, pastaj si demokrat ose socialist. Vota e 23 qershorit duhet të jetë vota e prindit shqiptar për rilindjen e këtij vendi që duhet të bëhet atdheu i begatë i fëmijëve të tij”, tha Rama.
“Në duam një Shqipëri përmes punës, ndërsa Saliu ju jep një Shqipëri që vazhdon të rrënohet. Ju betohem edhe para memorialit të dëshmorëve të kësaj zone, se unë Edi Rama, nuk do ta tradhtoj kurrë Vlorën dhe nuk do t’i tradhtoj kurrë qytetarët e këtij vendi. Pas 23 qershorit do t’i kthejmë fjalët në vepra, do të bëjmë ëndrrat realitet për socialistët dhe demokratët e kësaj zone dhe të gjithë Shqipërisë. Shqipëria është amaneti i të parëve tanë, i Ismail Qemalit dhe dëshmorëve të luftës, amaneti i të gjithë gjyshërve të fëmijëve që sot meritojnë vullnetin dhe dashurinë më të madhe që nesër të jenë krenarë për Shqipërinë që do të trashëgojnë”, u shpreh Rama./b.l
TEMA
Add new comment