Nuk kanë tualet në shtëpi 9531 familje shqiptare

A keni tualet në shtëpi? Brenda apo jashtë banesës? Këto kanë qenë dy nga pyetjet e censusit të popullsisë dhe banesave. “Panorama”shkruan sot se plot 9531 familje i janë përgjigjur kësaj pyetje ndoshta në siklet e me ngritje supesh. Kanë një strehë ku fusin kokën, por në shtëpitë e tyre nuk kanë tualet. As brenda dhe as jashtë. Nuk dihet objekt i kujt studimi do të jenë të dhënat e grumbulluara për këtë grup pyetjesh, por në vitin 2013 ka ende mijëra familje, të cilat nevojat personale i kryejnë ku të mundin, që së pari dëshmon qartë një standard jetese që lë për të dëshiruar.
Qarku më problematik është Shkodra, e cila renditet e para në listën e 12 qarqeve që janë bërë pjesë e censusit. Në këtë qark, plot 2336 familje nuk kanë banja në shtëpitë e tyre. Pjesa më e madhe jetojnë në zonat rurale. Surpriza nga këto të dhëna është qarku i Tiranës, ku 1567 familje gjithashtu nuk kanë tualet në shtëpitë e tyre. Banesa të tilla i gjen jo vetëm në zonat rurale, por edhe brenda qytetit të Tiranës, në periferi. Gjirokastra është qarku që duket se i ka dhënë zgjidhje me kohë këtij problemi, e fundit në listë, ka vetëm 180 familje, të cilat nuk kanë tualet brenda në shtëpitë e tyre.
VARFËRIA DHE HIGJIENA
Referuar të dhënave të censusit, janë me mijëra familje të cilat tualetet i kanë jashtë banesave. Ka edhe nga ato të cilat nuk kanë ujë të rrjedhshëm në këto mjedise të domosdoshme. Pyetja që të lind natyrshëm, pasi i hedh një sy të dhënave, është edhe një tjetër: Si ia bëjnë këta persona për t’u larë? Për të pasur një higjienë vetjake? Këto pyetje sigurisht që nuk marrin përgjigje në census, ndërkohë që burime pranë INSTAT pohojnë për gazetën se pjesa më e madhe e tyre jetojnë nën minimumin jetik dhe janë shumë të varfra. “Ka qenë habi edhe për ne gjatë intervistave që kemi bërë në terren të merrnim të tilla përgjigje, por kontrastet në zona të ndryshme jo vetëm rurale, por edhe urbane, janë të dukshme”, thotë një nga punonjëset e INSAT, e cila ka qenë pjesë e grupit të anketuesve në familje. Ndërsa mjekët pohojnë se të dhënat dëshmojnë për mangësi në higjienë, çka mund të lidhet drejtpërdrejt edhe më shfaqjen e një sërë sëmundjes.
PANORAMA
Add new comment