Alarmi i Prokurorisë: Para false nga Mali i Zi e Kosova për sezonin veror

Prokuroria jep alarmin mbi një sasi të konsiderueshme eurosh të falsifikuara që janë hedhur në tregun vendas dhe pritet të shpërndahen përgjatë sezonit veror, kryesisht në Shkodër e Lezhë. Pas arrestimit të pesë të rinjve që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar falsifikimi, hetimet tremujore zbulojnë se sasia e parave të sekuestruara është vetëm maja e ajsbergut. Sipas një burimi të rezervuar mësohet se Shqipëria dhe kryesisht dy qytetet veriore janë pjesë e një skeme për hedhjen në qarkullim të parave të falsifikuara me origjinë në Mal të Zi e Kosovë. “Bëhet fjalë për një rrjet falsifikuesish që shtrihet në Kosovë e Mal të Zi, të cilët prodhonin kartëmonedha të prerjeve 2 mijë dhe 5 mijë-lekëshe”, – tha një burim i prokurorisë, teksa u referohet hetimeve tremujore të kryera nga Prokuroria e Shkodrës. Operacioni u finalizua mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Shkodrës, ku në pranga ranë pesë të rinj. Sipas policisë, të arrestuarit janë: Paolo, Florian dhe Emiljano Gjergji, Klodian Dedndreaj dhe Kristian Mala. Të momentin e arrestimit të dyshuarve iu sekuestrua sasia prej 102 mijë lekësh të reja, të falsifikuara, në kartëmonedha të prerjes 2 mijë-lekëshe. Por sipas prokurorisë, sasia e parave të sekuestruara dyshohet se është vetëm një pjesë e vogël e kartëmonedhave të falsifikuara që mendohet se kanë hyrë në Shqipëri përgjatë kësaj kohe. Të arrestuarit, sipas hetimit bashkëpunonin me persona të tjerë përtej kufirit, kryesisht në Mal të Zi dhe në Kosovë. Këto dy vende dyshohet se janë edhe origjina e parave false që sipas prokurorisë “kanë pushtuar” Shkodrën dhe Lezhën. Përveç lekëve, rrjeti i falsifikatorëve ka mundur të hedhë në përdorim edhe euro, kryesisht kartëmonedha të prerjeve 20, 50 dhe 100 euro. Një pjesë e mirë e eurove false dyshohet se tashmë gjendet në Shqipëri dhe mund të vihet në përdorim gjatë sezonit turistik, kur numri i pushuesve në Shkodër e Lezhë rritet ndjeshëm. Hetimet e prokurorisë nuk kanë mundur të zbulojnë të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasi ka dyshime se pjesë e rrjetit mund të jenë edhe persona të tjerë në dy qytetet ky mendohet se kryhej aktiviteti. Një burim pranë policisë tha se gjatë kësaj kohe janë mbajtur nën vëzhgim disa biznese që dyshohet se kanë lidhje me futjen në qarkullim të parave të falsifikuara. Bëhet fjalë për lokale e hotele në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, ku gjithashtu dyshohet se janë shpërndarë një pjesë e sasisë së konsiderueshme të eurove false, që sipas policisë dhe prokurorisë tashmë janë futur në vendin tonë. Për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe personave të përfshirë në të, autoritetet shqiptare kanë krijuar kontakte me homologët e tyre malazezë dhe kosovarë, pasi hetimet tregojnë se paratë false prodhohen pikërisht në këto dy vende. Gjithashtu, hetime janë duke u kryer edhe në dy qytetet ku mendohet se është shtrirë ky aktivitet. Policia pritet të marrë në pyetje pesë të arrestuarit për zbulimin e sa më shumë detajeve. Ata do të përballen me Gjykatën e Shkodrës për caktimin e masës së sigurisë me akuzën e “falsifikimit dhe vënies në përdorim të parave të falsifikuara”. Dy muaj më parë, një grup të rinjsh u arrestuan në Tiranë, pasi dyshohej se prodhonin para të falsifikuara. Gjatë kontrollit të ushtruar u sekuestrua një sasi prej rreth 30 milionë lekësh të vjetra, të gjitha të falsifikuara.
Të arrestuarit
1-Kristian Mala, 22 vjeç, banues në lagjen “3 Heronj” Shkodër
2-Florian Gjergji, 34 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër
3-Paulo Gjergji, 20 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër
4-Emiljan Gjergji, vjeç 25, banues në fshatin Berdicë, Shkodër
5-Klodian Dedndreaj, 20 vjeç, banues në Tiranë
MAPO
Add new comment