PD e PS përplasen në KQZ për votuesit e dubluar

Postuar në 28 Maj, 2013 03:53

Raporti i muajit maj, opozita: 27 mijë zgjedhës të dyshuar si të dubluar. PD: Nuk kalon një mijë persona.

Opozita, ndryshe nga sa deklaron Ministria e Brendshme, pretendon se në listat e zgjedhësve gjenden 27 143 zgjedhës të dyshuar si të dubluar. Kjo është shifra që nxjerr eksperti i opozitës, Dashamir Çali, në raportin e tij të auditimit mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për muajin maj 2013 dhe që së bashku me atë të hartuar nga eksperti i së djathtës, Genti Malko, do të shqyrtohet sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas ekspertit të opozitës, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile nga dhe gjeneron dhe lista e zgjedhësve, gjenden ende edhe pas pastrimeve të bëra dhe 27.143 zgjedhës të dyshuar si të dubluar.

Ndërkohë që sipas ekspertit të mazhorancës, i cili ka paraqitur shifra të njëjta me ato që pasqyroi para disa ditësh edhe Ministria e Brendshme, ky numër është fare i papërfillshëm pas nuk i kalon 1 mijë. Një tjetër e dhënë kontradiktore mes dy raporteve është edhe numri i zgjedhësve pa adresë. Kështu, sipas raportit të opozitës, gjenden plot 348.284 votues pa adresë, ndërsa për Ministrinë e Brendshme nuk ekziston asnjë person që të jetë pa adresë. Siç bëri të ditur para disa ditësh zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë, pasi për të gjithë personat që gjenden në listën e zgjedhësve ekziston numri dhe qendra e caktuar e votimit, dhe ajo që nuk dihet sipas tij është thjesht fakti se ku ata banojnë.

Debati për saktësinë e listave të zgjedhësve ka shoqëruar pothuaj të gjitha zgjedhjet shqiptare. Edhe në lokalet e 2009-ës pati akuza për lëvizje votuesish nga një rreth në tjetrin, në varësi të nevojës së rezultateve të partive. Në të vërtetë, numri i dublimeve që është edhe problemi kryesor në listat e zgjedhësve, ka ardhur duke u ulur nga zgjedhjet në zgjedhje për shkak të avancimit të teknologjisë. Regjistri elektronik i zgjedhësve mund t’i përplasë personat me të njëjtat identitetet dhe një prej tyre eliminohet si zgjedhës në lista. Ndërsa për emrat që gjenden pa adresë, të dyja palët janë dakord se ata janë vetëm një herë në listë, por ngaqë kanë lëvizur nga vendbanimet e tyre të origjinës, nuk kanë një adresë të saktë në vendbanimin e ri.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.