Nishani urdhëron ndryshimin e simboleve të Presidencës dhe të dekoratave

Ndërkohë që nuk ka asnjë vit në krye të Presidencës, duket se Bujar Nishani është i mërzitur me simbolet e këtij institucioni, si dhe me logot e dekoratave të nderit që akordohen nga Presidenti i Republikës.
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet shpallja e një konkursi kombëtar për ideimin dhe realizimin e simboleve të institucionit të Presidentit të Republikës dhe dekoratave e titujve të nderit. Lajmi për shpalljen e këtij konkursi është bërë me dije sot nga zyra e Nishanit, ndërkohë që në të nuk jepet asnjë motiv dhe shpjegim se përse duhet të ndryshojë logoja e Presidencës dhe ajo e dekoratave dhe titujve të nderit.
Në njoftimin për shtyp bëhet me dije vetëm shpallja e konkursit si dhe kriteret e pjesëmarrjes në të.
“Presidenca e Shqipërisë shpalli konkursin kombëtar për ideimin, modelimin dhe realizimin e simboleve të Institucionit të Presidentit, të dekoratave dhe titujve të nderit që jepen nga Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 6 pika 3 të ligjit nr. 112/2013, datë 4.04.2013 “Për Dekoratat, Titujt e Nderit, Medaljet dhe Titujt Vendorë të Nderit në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kush do të ndryshojë
Kështu, sipas njoftimit zyrtar, të gjitha dekoratat dhe titujt që akordohen nga Presidenti i Republikës, pas gushtit të vitit 2013 do të kenë një pamje krejt tjetër.
Në njoftim thuhet se do të ndryshojnë simbolet e flamurit dhe logoja e institucionit të Presidentit të Republikës si dhe dekoratat: “Flamuri Kombëtar”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Nderi i Kombit”, “Nënë Tereza”, “Medalje e Artë e Shqiponjës”, “Pishtari i Demokracisë”.
Po kështu do të ndryshojnë dhe logot e titujve të nderit si: “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, “Martiri i Demokracisë”, “Mjeshtër i Madh”, “Naim Frashëri”.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë, studio grafike dhe subjekte të interesuara me kombësi shqiptare.
Ndër kriteret e përcaktuara të pjesëmarrjes është se punimet duhet të jenë origjinale për secilin objekt si: flamurin, logon, dekoratat dhe titujt, të papublikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autenticitetin e tyre para ligjit. Konkursi do të organizohet nga Institucioni i Presidentit dhe mbledhja e e punimeve do të nisë nga data 22.07.2013 deri më datë 30.07.2013./l.ç
TEMA
Add new comment