Komisioni i Ligjeve, 12 anëtarë të PD-së nuk u rikandiduan

Postuar në 31 Maj, 2013 04:21

Dy partitë e mëdha, PD dhe PS bënë një reformë të thellë në listat e tyre të kandidatëve për deputetë, duke mos kandiduar një numër të madh të deputetëve aktualë. Kështu, demokratët nuk rikonfirmuan mbi 40 për qind të grupit aktual, ndërsa socialistët nga ana tjetër, mbi 20 për qind. Por ndërsa socialistët reformën e tyre e përqendruan në komisionet e nivelit të dytë, demokratët vendosën të prekin, gati deri në shkrirje komisionin e Ligjeve. Kështu, nga 15 anëtarë që ka PD në këtë komision, 12 prej tyre nuk u rikandiduan ose u kandiduan në pozicione jo fituese. Reforma në këtë komision nuk kurseu as kryetarin e tij dhe një nga emrat e rëndësishëm të PD-së, Ilir Rusmali, i cili është renditur në listën e PD-së për Tiranën në vendin e 17-të, gati e pamundur të rizgjidhet në mënyrë direkte deputet. Në një pozicion të vështirë për t’u rizgjedhur deputet është edhe anëtari i këtij komisioni, Tritan Shehu. Po ashtu në listë nuk është përfshirë fare as sekretari i komisionit, Viktor Gumi, si dhe shumë deputetë të tjerë aktivë, si Fatos Hoxha, Enkelejd Alibeaj, Paulina Hoti etj. Të vetmit që mundën t’i shpëtojnë kësaj “fshese” ishin deputetët Edi Paloka, Gent Strazimiri dhe Dashnor Sula. Një ndërhyrje shumë e thellë kjo, çka të bën të mendosh se kryeministri Sali Berisha duhet të ketë patjetër arsye të forta që e kanë detyruar të ndërmarrë këtë reformë në një masë të tillë. Ndërkohë që krahu tjetër, pra socialistët nuk rikandiduan vetëm Shegushe Ligorin.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.