Topi me fëmijët jetimë dhe romë: Milionat e fushatës të përdoreshin për ju

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi festoi 1 qershorin me fëmijët e ushtarakëve dhe policëve të vrarë.
Pas fjalës së kryetares së kësaj shoqate, Mamica Kastrioti, e cila falenderoi ish-presidentin Topi për përkrahjen që i ka dhënë gjithmonë këtyre fëmijëve në nevojë, foli kryetari i FRD. “Dita e sotme përkon edhe me një periudhë të ethshme elektorale, megjithatë unë nuk dua që të shfrytëzoj këtë moment për të bërë fushatë dhe i bej thirrje të gjithë politikanëve që ta bëjnë një gjë të tillë”,tha kryetari i FRD.
“Ju sot duhet të jeni krenarë për baballarët tuaj. Ata kanë qenë njerëz me morali dhe integritet të lartë dhe janë ndarë nga jeta në një periudhë të vështirë tranzicioni. Gjithashtu duhet të jenë krenarë për nënat tuaja, që me vështirësi të mëdha po kujdesen për rritjen dhe shkollimin tuaj”, theksoi Topi.
“Si politikan dhe si kryetar i një force politike, unë dua të them se shteti dhe qeveria duhet të jetë më e kujdesshme në drejtimin e kësaj shtrese, pasi ajo e meriton një gjë të tillë. Ne nuk duhet të bëjmë homazhe për prindërit e këtyre fëmijëve në përvjetore, por duhet që të parandalojmë ngjarje të tilla dhe me anë të pushtetit të bëjmë shtet. Sot kemi parë se si kryetarët e partive kanë pranë tyre, njerëz të lidhur me krimin, të cilët futen në administratë e më tej. Politika duhet të sigurojë qytetarët dhe të ndërtojë një shtet sa më funksional. FRD do të miratojë një ligj të veçantë për këtë shtresë, duke akorduar bursa studimi dhe mbështetje, që këta fëmijë prindërit e të cilëve kanë sakrifikuar shumë, të mos ndihen të diferencuar, por të integrohen të barabartë në shoqëri. Edhe njëherë gëzuar 1 qershorin”, përfundoi Topi.
Ndërkohë kreu i FRD ka festuar edhe me fëmijët e komunitetit rom.
“Ato lekë që shpenzohen për fushatat zgjedhore duhet të shkojnë për të sjellë gëzimin dhe buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve, të financohen projekte që ndihmojnë në integrimin e fëmijëve të shtresave të marxhinalizuara, të investohet për këta fëmijë e të mos shpenzohen fonde në kurriz të tyre, se janë të varfër”, u shpreh Topi për të pranishmit në festën e organizuar në njësinë 4./ep
TEMA
Add new comment