Rama: Legalizimet do t’i përfundojmë menjëherë pasi të çlirojmë kapitalet

Postuar në 04 Qershor, 2013 03:53

Kreu i PS-së: Ngjela ministër, do të marrim 77-80 deputetë

Fatjona Mejdini

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Komunës së Kasharit, u fokusua në nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së pronave, duke quajtur një element thelbësor mbylljen e procesit të legalizimit. Sipas Ramës, në rast se çështja e pronave nuk do të zgjidhej menjëherë, të gjitha fjalimet për zhvillimin do të ishin thjesht propagandë. Ai denoncoi dhe atë që e quajti skemë të mashtrimit të qeverisë, e cila nga paniku shpërndan copa letrash me numra telefoni të njerëzve që s’kanë lidhje me procesin, duke premtuar legalizim për tri javë, në një kohë kur procesi nuk ka përfunduar dot as për tre vjet. Më herët Rama zhvilloi në zyrën e tij në Partinë Socialiste, një takim me gazetarët, ku foli për sondazhet e brendshme të kësaj partie, të cilat e nxirrnin koalicionin e majtë fitues të zgjedhjeve me 77 deri në 80 mandate. Ai deklaroi se duhet të ishte mazhoranca ajo që të ofronte një zgjidhje të besueshme për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe se e majta do i fitonte zgjedhjet me forcën e votës së qytetarëve. Rama i mbylli dje takimet e tij elektorale me një takim me banorët e Vaqarrit dhe pastaj të Golemit, ku foli për shqetësimet e tyre dhe programin e socialistëve.

Legalizimet

Në Kashar, Edi Rama dha në mënyrë të drejtpërdrejtë një shembull sesi pushteti i Kryeministrit Berisha vijonte të tallej me qytetarët. Nisur nga disa copa letrash që banorëve të zonave informale u ishin dhënë nga përfaqësuesit e komunave, një qytetare gjatë takimit me Ramën provoi të telefononte numrin e telefonit të një personi që quhej Buli, i cili thuhej se do ta zgjidhte këtë çështje për tri javë. Por në një telefonatë direkte, personi nga ana tjetër e telefonit iu përgjigj qytetares se nuk ishte ai personi që mund ta zgjidhte çështjen e legalizimeve. Kaq duhej dhe Rama theksoi se qeveria e Berishës vijonte të gënjente qytetarët e këtij vendi. Të njëjtën gjë konfirmoi për “Shqip” kandidati për deputet në këtë zonë, Artan Gaçi. “Qeveria po vazhdon të gënjejë në mënyrë formale tani. Po ju shpërndan qytetarëve vetëm letra bakalli dhe po i gënjen se me ato do të munden të legalizojnë për tri javë ato prona të cilat si kanë legalizuar dot për tre vjet”, theksoi Gaçi. Rama theksoi se kjo situatë do të merrte fund njëherë e mirë.

Fitorja

Rama u shpreh dje i bindur për fitoren e të majtës më 23 qershor, duke parashikuar deri në 80 mandate. Sipas tij, sondazhet e brendshme e bënin PS-në shumë optimiste dhe se pushteti i nesërm do të ndahej në mënyrë të drejtë mes aleatëve. Në këtë kuadër Rama theksoi se aleati i tij, Spartak Ngjela, do të ishte pas 23 qershorit pjesë e rëndësishme e qeverisjes së majtë.

Gaçi: Qeveria po gënjen banorët se do të përfundojnë legalizimet për tri javë

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.