LIMAJ RIKTHEHET NË KUVEND

Postuar në 07 Qershor, 2013 03:24

Deputeti i PDK'së, Fatmir Limaj është rikthyer në Kuvend pas vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur që të akuzuarit për rastin "Kleqka" të mbrohen në liri.

Sot, Limaj gjatë gjithë kohës ka qëndruar në seancë dhe është përshëndetur me deputetët e tjerë.

Kthimi i Limajt u bë pasi që deputetit i skadoi arresi shtëpiak për shkak të gjykimit që po zhvillohet kundër tij për rastin “Kleçka”.

Ndryshe, Limaj është duke u përballur me dy procese gjyqësore - për krime lufte dhe për korrupsion.

Limaj ka munguar më shumë se gjashtë muaj në seancat e Kuvendit dhe ka pasur rrezik t'i merret mandati i deputetit.

Por, as Kryetari i Kuvendit dhe as Kryesia asnjëherë nuk kanë diskutuar për mandatin e deputetit të PDK'së, pasi kanë konsideruar se Limaj ka munguar me arsye në senacat plenare të Parlamentit.

Fatmir Limajt i ishte ngritur akt-akuza për krime lufte në shkurt të vitit 2003, ndërsa ishte shpallur i pafajshëm në nëntor të vitit 2005. Atij përsëri i është riaktualizuar e njëjta akuzë dhe tani po përballet përsëri me rigjykim nën akuzën për krime gjatë kohës së luftës.

 

Limaj lirohet nga arresti shtëpiak

Fatmir Limaj me shokë është liruar nga arresti shtëpiak në rastin “Kleçka”. Atyre u është komunikuar masa e lajmërimit në stacionin policor.

"Me vendim të kryetarit të trupit gjykues, Malcolm Simmons është liruar Fatmir Limaj dhe gjithë të tjerët në Rastin Kleçka nga arresti shtëpiak, dhe është sjellë masa shumë e që është lajmërimi në stacionin policor", ka thënë avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi.

Me këtë vendim, Fatmir Limajt i mundësohet kthimi në jetë politike.

Lirimi është konfirmuar edhe nga misioni i EULEX. Sipas një njoftimi thuhet se sot, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë vendosi që t’i lirojë nga arresti shtëpiak të gjithë dhjetë të pandehurit për rastin Kleçka.

"Mirëpo, prej tash e deri në përfundimin e gjykimit kryesor, të pandehurit janë të obliguar që për çdo ditë të paraqiten në stacionin policor. Pasaportat e tyre mbeten të konfiskuara dhe ata nuk mund të largohen nga Kosova", thuhet në njoftim.

Trupi gjykues vendosi që ta zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak me masën e lajmërimit në stacionin policor për shkakun se në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit është thënë se masa e arrestit shtëpiak ishte kryesisht e nevojshme për ta shmangur rrezikun e ndikimit tek dëshmitarët. Dëshmitari i fundit i prokurorisë ka dëshmuar gjatë seancës gjyqësore kryesore më 5 qershor 2013.

Seancat gjyqësore kryesore për këtë rast do të vazhdojnë më 3 korrik 2013, me ç’ rast të pandehurit do të fillojnë me paraqitjen e rasteve të tyre. Kodi i Procedurës Penale i Kosovës parashikon që gjatë zbatimit të masës së kufizimit për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, gjykata duhet të sigurojë që të mos e zbatojë ndonjë masë më të ashpër, nëse do të mjaftonte masa më e butë.

Të gjitha palët kanë të drejtën e apelit ndaj vendimit të gjykatës.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.