Pallati i Linda Bashës, merret në pyetje ish kreu i Urbanistikës, Agolli: Firmosa ç’më sollën

Postuar në 07 Qershor, 2013 03:35

Ish-drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli, është marrë në pyetje dje në Prokurorinë e kryeqytetit në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për lejen e pallatit të familjes së Linda Bashës (Rama).“Panorama” shkruan sot se në orën 09:30 të mëngjesit, ish-zyrtari i lartë i Bashkisë së Tiranës është paraqitur në Prokurori në përgjigje të fletëthirrjes së dërguar tri ditë më parë.

Pasi e kishte shtyrë për dy ditë paraqitjen e tij, dje Dritan Agolli është paraqitur në zyrat e Prokurorisë ku është marrë në pyetje për më se një orë e 20 minuta. Seanca e marrjes së deklarimeve është mbajtur në katin e 6-të të Prokurorisë së Tiranës. Burime të Prokurorisë kanë thënë se “shtetasi Dritan Agolli është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për lejen e dhënë për ngritjen e pallatit 5-katësh te Rruga e Elbasanit”.

Sipas Prokurorisë, ish-kreu i Urbanistikës në Bashki, Dritan Agolli, është personi i fundit që ka sigluar dosjen e lejes së ndërtimit para se ajo të kalonte në Këshillin e Rregullimit të Tiranës. “Agolli ka firmosur propozimin që zyra juridike dhe ajo e urbanistikës në Bashki, i kanë dhënë Këshillit të Rregullimit të Territorit, që leja e ndërtimit për pallatin të miratohej”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në deklarimet e dhëna dje para grupit të hetimit, Dritan Agolli ka shkarkuar përgjegjësinë tek ish-vartësit e tij në Bashkinë e Tiranës.

“Unë nuk kam kryer matje, as verifikime në terren. Kam parë dokumentet që më kanë sjellë specialistët. Ata më kanë relatuar se leja duhej dhënë, pasi i plotësonte kriteret ligjore dhe urbanistike”, mësohet të ketë thënë Dritan Agolli, gjatë dëshmisë së dhënë në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës në ditët e kaluara ka marrë në pyetje dy nga specialistët e Bashkisë që përmend Dritan Agolli në dëshminë e tij.

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.