Vrasja e Lamajt, gjykata greke ekstradon Arben Frrokun

Tiranë Gjykata e Lartë në Greqi vendosi të ekstradojë biznesmenin Arben Frroku, i cili dyshohet si autor i vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, ndodhur më 24 shkurt në Tiranë. Gjykata pranoi kërkesën e drejtësisë shqiptare, duke argumentuar se ekstradimi i të dyshuarit do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes për të cilën ai kërkohet në Shqipëri. Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë u mblodh fillimisht në 31 maj për t’u njohur me dosjen, pasi shkalla e parë vendosi të përcjellë dosjen pranë kësaj gjykate. Argumenti i dërgimit të çështjes në Gjykatën e Lartë u bazua mbi pretendimin e mbrojtjes se kjo çështje ka prapavijë politike, pasi i dyshuari do të kandidonte për deputet. Gjykata e Lartë greke arsyetoi në vendimin e saj se ekstradimi i të akuzuarit do të ndihmojë në zbardhjen e krimit të 24 shkurtit në Tiranë. Pas këtij vendimi, transferimi i Arben Frrokut në Shqipëri do të realizohet brenda 40 ditësh. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë greke pritet të pasohet nga firma e ministrit të Drejtësisë greke, i cili do të zyrtarizojë procedurën e ekstradimit të biznesmenit Frroku në Shqipëri. Ky vendim erdhi një javë pasi trupi gjykues u njoh me dosjen e dërguar nga drejtësia shqiptare. Prokurori grek argumentoi se ekstradimi i Frrokut do të ndihmonte drejtësinë në zbardhjen e vrasjes së oficerit të lartë të policisë shqiptare, pasi ai nuk do të përndiqej për shkak të bindjeve të tij politike. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga mbrojtja, e cila vuri në dispozicion të gjykatës materiale filmike të deklaratave që politikanët shqiptarë kanë bërë ndaj Arben Frrokut. Po ashtu, avokati mbrojtës dorëzoi në gjykatë edhe listën e kandidatëve për deputetë të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke argumentuar se akuzat ndaj klientit të tij janë me prapavijë politike. Një javë pasi dëgjoi palët dhe pas konsultimit me ekspertët më të mirë, gjykata vendosi ta pranojë ekstradimin e Frrokut, duke argumentuar se prania e tij do të ndihmojë në zbardhjen e vrasjes dhe siguria e tij nuk cenohet në burgjet shqiptare. Biznesmeni Arben Frroku, sipas prokurorisë, është i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më datë 24 shkurt, pranë banesës së të ndjerit. Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë autorët e vjedhjes së automjetit që u përdor në vrasjen e komisarit Lamaj. Gentjan Bejtja dhe Enver Stafuka, sipas prokurorisë kanë vjedhur automjetin tip “BMW” që është parë në vendin e vrasjes së komisarit, por nuk ka mundur ende të zbardhë mekanizmin se si kjo makinë përfundoi në duart e ekzekutorëve.
MAPO

Add new comment