Meta: Do marim dy mandate në Korçë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Metadeklaroi sot se forca që ai drejton do të marë dy mandate në qarkun e Korçës. Ai zhvilloi një takim me qytetarë të Rrethit të Devollit ku prezantoi kandidatët për deputet në këtë zonë Piro Kapuranin,Petrika Lamen dhe Zamir Demirajn. Meta tha se LSI me programin e saj “Plani për punësim” do të mbështesë të gjithë devollinjë të cilët kërkojnë një përkrahje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë për të punuar, në mënyrë që të rritet mirëqenia. “Ndaj jemi sot në Devoll që nëpërmjet Planit tonë të Punësimit të shprehim përkrahjen më të madhe për të gjithë devollinjtë si njerëz punëdashës dhe që kërkojnë më shumë mbështetje nga qeveria dhe nga shteti për të rritur më tej mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre, për t’i edukuar akoma më mirë fëmijët e tyre për të ardhmen. Jemi sot këtu për të kërkuar përkrahjen e popullit Devollit për Petrika Lamen dhe Zamir Demirajn, për dy djem dhe intelektualë të shquar të këtij komuniteti dhe njëkohësisht për të gjithë kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Korçës. LSI ecën e sigurt drejt 23 qershorit me bindjen e plotë për një sukses të jashtëzakonshëm në Qarkun e Korçës dhe të në gjithë Shqipërinë”, deklaroi Meta.
Ai, i ftoi të gjithë qytetarët e Devollit që të mbështesin LSI-së më 23 qershor. “Mbështetja që i jepni LSI-së është një detyrimi ynë ndaj jush, ndaj të gjithë atyre që e përkrahin LSI-në. “LSI është një forcë politike e cila kujdeset për njerëzit dhe do të kujdeset çdo ditë edhe në të ardhmen dhe jo thjesht në prag të fushatave elektorale. Prandaj ju kërkoj të gjithë votat për Lëvizjen Socialiste për Integrim, të gjitha votat për numrin 26, të gjitha votat për Petrika Lamen dhe Zamir Demirajn, të gjitha votat për Piro Kapuranin dhe të gjithë kandidatet dhe kandidatët tanë në Qarkun e Korçës. Ne ecim të sigurt drejt fitores së dy mandateve në Qarkun e Korçës më 23 qershor dhe Devolli do të jetë i përfaqësuar në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe rajonale”, tha Meta.
MAPO

Add new comment