Fushata, PS kërcënon zyrtarët: Po abuzuat, do përballeni me drejtësinë

Postuar në 10 Qershor, 2013 08:00

Socialistët vlerësojnë ODIHR-in: Raporti, këtë radhë i qartë 

Fatjona Mejdini

Partia Socialiste i ka bërë thirrje dje të gjithë zyrtarëve se në rast se do të shkelin ligjin në kuadër të mbështetjes për Partinë Demokratike në fushatë, më 24 qershor do të përballen me ligjin. Qëndrimi i partisë më të madhe në opozitë erdhi dje i shoqëruar me një vlerësim për raportin paraprak të OSBE/ODHIR-it për të cilin PS theksoi se me një gjuhë të qartë ka evidentuar të gjitha shqetësimet e socialistëve në fushatë. Ky raport u quajt nga PS i ndryshëm nga ata të zgjedhjeve të mëparshme, i cili evidentonte qartë problematikën zgjedhore duke nisur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe deri te përdorimi i administratës për fushatë, presioni dhe ndëshkimi i hapur ndaj punonjësve që nuk mbështesin PS-në. Nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, Koli Bele, përmes një deklarate për shtyp theksoi se asnjë shkelje e evidentuar nga PS gjatë fushatës nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit të shtetit të së drejtës që do të krijohet nga socialistët pas fitores së zgjedhjeve, më 24 qershor. Ai theksoi se raporti i ODHIR bën të qartë se shkelja e standardit të zgjedhjeve do të bllokojë në mënyrë të panegociueshme të gjitha proceset integruese të Shqipërisë dhe se PS do të sinjalizonte në mënyrë të pandërprerë faktin ndërkombëtar për çdo abuzim zgjedhor gjatë ditëve të mbetura të fushatës.

Paralajmërimi

Socialistët u bënë thirrje dje zyrtarëve dhe individëve të përfshirë në fushatën e PS-së që të mos guxonin që në emër të partisë shtet të shkelnin ligjin, pasi ndëshkimi nuk do të vononte. “Çdo zyrtar apo individ që po shkel Kushtetutën dhe ligjet, për t’i shërbyer verbërisht partisë shtet në ditët e saj të fundit, do të përballet me forcën e shtetit të së drejtës që do të rilindë pas 24 qershorit”, theksoi në emër të PS-së, nënsekretari për çështjet zgjedhore, Koli Bele. Sipas tij, zgjedhjet e këtij viti janë tepër të rëndësishme dhe se mbrojtja e standardeve të tyre është një detyrim për Shqipërinë në kuadër të një të ardhme në Europë. Bele theksoi se edhe në raportin e ODIHR-it shprehet qartë qëndrimi se zgjedhjet tashmë janë një kusht i panegociueshëm për integrimin. “Janë konstatimet e misionit të vëzhguesve të ODIHR, të cilat përveçse vërtetojnë denoncimet publike që PS ka bërë gjatë muajve të fundit, janë një kambanë alarmi për cenimin e standardeve zgjedhore, kusht i panegociueshëm për proceset integruese të vendit!”, theksoi Bele në deklaratën për shtyp. Ai theksoi se PS po e ndjek me shumë vëmendje të gjithë procesin dhe se do të vijojë të denoncojë çdo shkelje të bërë nga partia në pushtet pranë ndërkombëtarëve.

“PS do vazhdojë të informojë partnerët dhe misionet ndërkombëtare, si dhe të denoncojë publikisht e dokumentojë çdo shkelje të ligjit gjatë fushatës zgjedhore”, premtoi përfaqësuesi i PS-së.

Vlerësimi

Selia socialiste e vlerësoi raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it duke e quajtur atë të ndryshëm nga ata të mëparshmit, për sa i përket gjuhës së qartë të përdorur dhe problematikës së konstatuar. “PS vlerëson se konstatimet e raportit paraprak të OSBE/ODIHR të datës 7 qershor, pasqyrojnë me vërtetësi, problemet serioze dhe shkeljet e ligjit që po shoqërojnë fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit. Në ndryshim të dukshëm me raportet e zgjedhjeve të mëparshme, Misioni i ODIHR, këtë herë ka folur me një gjuhë të qartë dhe pa ekuivokë, duke dokumentuar shkeljet flagrante te ligjit dhe cenimin e standardeve zgjedhore”, theksoi zyrtari i PS-së në deklaratën në të cilën ishin cituar pasazhe të shumta nga raporti i ODIHR i bërë publik pak ditë më parë.

 

Detaje

 

Task Forca

Për të gjitha shkeljet zgjedhore të evidentuara deri tani, kreu i PS-së, Rama, i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm ngritjen e një Task Force të posaçme hetuese

 

KQZ

Shqetësimi më i madh i paraqitur në raportin e parë të OSBE/ODIHR-it është mënyra e funksionimit të KQZ-së dhe mungesa e garancive në të

 

Administrata

PS ka theksuar në mënyrë të herëpashershme se ndaj administratës shtetërore po bëhet një presion i paprecedentë nga ana e PD-së

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.