Volfarth do largohet 4 ditë pas zgjedhjeve, por merakun nuk e ka tek standardet, por a do pranohet rezultati

Postuar në 11 Qershor, 2013 07:41

Ambasadori i prezencës së OSBE në vendin tonë, Eugen Volfarth, do të largohet nga Shqipëria katër ditë pas zgjedhjeve, duke organizuar me këtë rast një koktejl ku të ftuar do jenë krerët e shtetit.

Volfarth, një ambasador i shumëkritikuar nga opozita në Shqipëri, sidomos nga opozita mediatike, ka dhënë një intervistë për emisionin “Tonight” të Ilva Tares, duke theksuar se merakun më të madh ka nëse do pranohet rezultati dhe jo punën e standardeve.

Sipas Volfarth, sondazhet tregojnë se gara do jetë e ngushtë.

“Ndoshta nuk është ngushtësia e rezultateve, ndoshta është dhe zakoni i shqiptarëve që flasin pak me zë të lartë, por në demokraci është vendi që duhet të fitojë. Por një palë do humbasë, tjetra do fitojë, është qytetari që vendos, është administrata e zgjedhjeve që duhet të numërojë mirë rezultatin, por humbësi duhet të pranojë rezultatin,” tha Volfarth.

I pyetur se në cilin rast do të quheshin të pranueshme zgjedhjet, ai thotë: “Nuk është se kam një formulë sekrete matematikore. Ndoshta të lejueshme do jenë aq gabime sa janë njerëzore, me kusht që numëruesit në tryezat e numërimit të bëjnë një punë të ndershme. Ky është proces që kontrollohet nga shumë sy, të gjithë elementët duhet të jenë aty”.

Volfarth sërish tha se një KQZ e paplotë është problem.

“Prezenca e OSBE ka qenë e qartë dhe ndërkombëtarët e tjerë kanë qenë të qartë se një KQZ e plotë është ajo që do donim të shihnim, jemi këtu ku jemi, kemi një KQZ me 4 anëtarë. Një vend ka dhe lirinë për të mos qenë i përsosur, por çdo veprim ka një çmim, shpejtësia e integrimit është ajo që mund të privohet dhe ky është një çmim që e paguajnë të gjithë shqiptarët. Të pranuarit e humbjes është pjesa më e vështirë, Shqipëria s’duhet të vuajë nga bllokada politike, kemi nevojë për një ekip të fortë shqiptar që të diskutojnë dhe të marrin vendime bashkë.  Unë jam ndër ata që ndihem shumë mirë që tre ligjet e BE u miratuan dhe ndihmuan për të hapur rrugën për cilëndo qeveri që do vijë pas 23 qershorit”./ep

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.