Teknologjia, dështojnë 2 projektet për 23 qershorin

Asnjëri nga dy projektet pilote të përdorimit të teknologjisë në zgjedhje nuk do mund të zbatohet në 23 qershor. Testet e zhvilluara nga institucioni qendror i administrimit të zgjedhjeve kanë nxjerrë jo pak probleme, të cilat mund të rrezikojnë vijimin e rregullt të procesit, atë të verifikimit të zgjedhësve në rastin e projektit të verifikimit të zgjedhësve në qarkun e Tiranës dhe atë të numërimit të votave në qarkun e Fierit. Burime nga KQZ bëjnë të ditur se në ditët në vijim ky institucion pritet të marrë në analizë raportet e sjella nga administrata dhe kompania përkatëse dhe për të dalë me një vendimmarrje për të mos zbatuar këto dy projekte, të cilat ishin vënë si detyrë edhe nga Kodi Zgjedhor. Ndërkohë që socialistët janë të bindur se projekti i verifikimit elektronik të mjeteve të identifikimit të zgjedhësve në qarkun e Tiranës, mund të realizohet me vetëm disa ndërhyrje të vogla teknike që mund të shmangnin problematikat e hasura gjatë testimit.
Verifikimi elektronik
Të shtunën e shkuar KQZ në bashkëpunim me kompaninë spanjolle që ka marrë përsipër të realizojë dy projektet e përdorimit të teknologjisë në dy qarqe, ka zhvilluar testin final të verifikimit elektronik të zgjedhësve nëpërmjet kontrollit me makineri të caktuara të kartave dhe pasaportave biometrike. Siç edhe u vu re gjatë këtij testimi, zbatimi i këtij projekti në një situatë të stimuluar shfaqi jo pak mangësi thelbësore, që mund të kenë ndikim direkt në ecurinë e procesit të votimit në qarkun e Tiranës. U konstatua gjatë këtij testi se aparatura e posaçme që bën kontrollin e mjeteve të identifikimit nxjerr në tabelë që një zgjedhës ka votuar, por nuk arrin që të ndalojë që ai të mund të votojë edhe në një qendër tjetër. Verifikimi i rasteve kur një zgjedhës ka votuar më shumë se 1 herë, mund të bëhet vetëm pas ditës së zgjedhjeve dhe mund të ketë vlerë vetëm për proces të ankimimit, çka në përfundim mund të sjellë pavlefshmërinë e procesit të votimit, por nuk arrin të garantojë sigurinë e tij. Problematikë tjetër e parë gjatë testimit ishte dhe pamundësia për të votuar e personave që kishin kartën apo pasaportën e dëmtuar. Gjithashtu, një mangësi tjetër që shfaqi procesi gjatë këtij testi ishte dhe ajo që ka të bëjë me vijimin e procesit të votimit kur në një qendër votimi ka probleme me energjinë elektrike, apo kur një nga aparaturat shfaq probleme teknike. Të gjitha këto arsye, por jo vetëm, pritet të bëhen pjesë e një raporti që do t’i paraqitet KQZ-së për shqyrtim, para se ajo të marrë vendimin përfundimtar. Megjithatë, burime të mirinformuara nga ky institucion kanë bërë të ditur dje se tashmë me aq sa u pa dhe gjatë testit, ky projekt ashtu si edhe ai i numërimit elektronik të votave në qarkun e Fierit, është gati i pamundur për t’u zbatuar.
PS
Por për socialistët, problematikat që u vunë re gjatë testimit të projektit pilot për verifikimin elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës, mund të zgjidhen me disa ndërhyrje të vogla teknike nga ana e kompanisë që ka marrë përsipër të realizojë këtë projekt. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji tha dje se PS beson se sistemi i verifikimit elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës mund realizohet që në këto zgjedhje, mjafton që në sistem të bëhen ca rregullime teknike. Ishte PS ajo që kërkoi me ngulm gjatë reformës zgjedhore, që të vendosej në Kod detyrimi për të realizuar verifikimin elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës, ndërkohë që PD kërkoi në atë kohë që numërimi elektronik të zbatohej në qarkun e Fierit. Sot 1 vit më pas rezulton që të dyja këto projekte janë të dështuara.
MAPO
Add new comment