Arvizu: Çfarë ndodh nëse ka një rezultat 70-70 ose 69-68, me 3 mandate të pavendosura

Postuar në 13 Qershor, 2013 09:05

“Skenarët e vështirë? Janë mundësitë e një ngërçi, debatet për interpretimet e rregullave në mënyra të ndryshme. Sjellja e institucioneve është vërtet kryesorja”.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha dje se “po shohim përpjekje të ndryshme që ndikojnë mënyrën se si votojnë njerëzit. Japin para ose ofrojnë perspektiva pune, ose kërcënime për humbjen e vendit të punës. Shohim raste kur njerëzit shkurajohen për të votuar. Shohim raste kur burimet përdoren për fushatë në nivel qendror apo vendor”, tha Arvizu, duke shtuar megjithatë se ai do të donte të ishte optimist. Ambasadori i bëri këto komente në emisionin e ri të Adi Krastës dhe Lutfi Dervishit, në “Vizion Plus”. Ai tha se në disa qarqe situata mund të jetë edhe më e ndezur. Ambasadori amerikan shprehu shqetësim edhe për çështjen e KQZ-së, duke treguar me gisht nga mazhoranca e djathtë për këtë situatë. Arvizu nënvizoi se ata duhet ta kishin menduar më mirë këtë situatë kur votuan shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ.“Ne kemi shprehur shqetësim për zhvillimet në KQZ nga situata me të cilën përballet kjo e fundit. Kam ndjesinë që asnjë palë nuk është veçanërisht e shqetësuar për situatën në KQZ, siç jemi ne. Të dyja palët janë të interesuara që të fitojnë zgjedhjet dhe ne e kuptojmë këtë. Nga pikëpamja jonë, ne jemi neutralë. Për ne, rëndësi ka që të zhvillohet një proces i mirë, i shëndetshëm, demokratik”, tha Arvizu. “Në një pikë, zgjedhjet duhet të certifikohen me një shumicë të cilësuar, kështu që duhet të shkojmë në Kolegjin Zgjedhor. Çfarë ndodh nëse ka një rezultat 70-70 ose 69-68, me tri mandate të pavendosura? Do të doja që njerëzit të kishin menduar më shumë këtë më 15 prill, në datën kur është votuar për shkarkimin e zotit Muho”, vijoi ambasadori. Ambasadori tha se, nëse votuesit kanë besim tek procesi, mund të pranojnë edhe rezultatin zgjedhor. Por Arvizu shtoi se kur rregullat ndryshohen në mes të lojës, atëherë zvogëlohet besimi i opinionit publik tek procesi. Gazetari Adi Krasta ngriti shqetësimin nëse BE dhe SHBA do kenë qëndrim të unifikuar sa u përket zgjedhjeve. Ambasadori tha se është koha që gjërat të ndryshojnë .“Pikëpamjet e SHBA dhe BE-së përputhen plotësisht. Kanë kaluar 22 vite dhe besoj se duhet thënë që gjërat duhet të ndryshojnë, duhet të përmirësohen. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe presim që pas miratimit të 3 ligjeve, t’i hapet rrugë procesit të integrimit. Por është koha për të thënë se Shqipëria duhet të mbahet sipas një standardi më të lartë”, tha Arvizu. I pyetur se cili do ishte skenari më i keq për këto zgjedhje, Arvizu tha: “Ka skenarë nga më të këqijtë dhe më të ndryshmit, por ne shohim mundësitë e një ngërçi. Mbrëmë isha 3 orë me shefen e McCormack, 2 orë nga të cilat i shpenzuam në diskutime për Shqipërinë dhe 1 orë për SHBA. Skenarët e vështirë? Janë mundësitë e një ngërçi, debatet për interpretimet e rregullave në mënyra të ndryshme. Sjellja e institucioneve është vërtet kryesorja. Ne do të shohim aktorët dhe do t’i nxisim të veprojnë në përputhje me ligjin, të shmangin veprimet kapriçoze. Dhuna është një tjetër shqetësim. Kemi parë dhunë në fushatë, p.sh, si rasti i Fierit”, tha Arvizu. I pyetur nëse ka ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Berishës, Arvizu tha: “Unë dhe kryeministri Berisha kemi punën tonë për të kryer. SHBA dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Përgjegjësia ime kryesore është të përfaqësoj popullin tim, Presidentin tim. Ai (Berisha) e kupton, ai e ndjen se kjo miqësi është më kryesorja. A kemi pasur ndryshime në marrëdhënie?? Herë pas here, po”.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.